Mesfushori i Real Madridit dhe Anglisë, Jude Bellingham, pritet të mungojë të paktën gjashtë javët e para të sezonit të ardhshëm, pasi do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.
21-vjeçari ka vuajtur nga një problem i vazhdueshëm në shpatull që nga viti 2023 dhe Real Madridi e ka planifikuar operacionin për pas përfundimit të turneut që mbahet në Shtetet e Bashkuara.
Ish-mesfushori i Birmingham City ka luajtur me fashim në shpatull për Anglinë dhe klubin e tij, pasi fillimisht kishte munguar në dy ndeshje për të dyja ekipet në fund të vitit 2023, pas lëndimit të pësuar kundër Rayo Vallecanos.
Kupa e Botës për Klube e zgjeruar me 32 skuadra do të zhvillohet në SHBA nga 15 qershori deri më 13 korrik.
Bellingham pritet të mungojë gjatë gjithë fazës përgatitore dhe të paktën në gjashtë javët e para të sezonit të ri, që do të thotë se ka gjasa të mos jetë i pranishëm edhe në ndeshjet kualifikuese të Anglisë për Kupën e Botës kundër Andorrës dhe Serbisë në shtator.
Të premten, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, do ta publikojë listën e lojtarëve për ndeshjen kualifikuese të qershorit kundër Andorrës dhe miqësoren kundër Senegalit, me dilema nëse do të përfshihen apo jo lojtarët që do të marrin pjesë në Kupën e Botës për Klube.
Bellingham shkëlqeu në sezonin e tij të parë në Spanjë pas transferimit për 115 milionë funte nga Borussia Dortmundi.
Ai ndihmoi Real Madridin të fitojë titullin në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, duke shënuar 23 gola në 43 paraqitje.
Këtë sezon, megjithatë, ai ka shënuar vetëm 14 gola në 52 ndeshje, me Realin që e humbi titullin ndaj Barcelonës dhe u eliminua nga Arsenali në çerekfinale të Evropës.