Jude Bellingham është transferi më i madh i vitit 2023.
Ylli anglez po shkëlqen në fanellën e Real Madridit, i cili e bleu atë nga Borussia Dortmundi gjatë verës që po shkon.
I intervistuar nga “Movistar” pas fitores ndaj Union Berlinit, ku e shënoi golin e fitores, përfaqësuesi anglez foli për momentin që po e kalon dhe për objektivat që i ka me “Los Blancos”, përcjell “Gazeta Express”.
“Kemi pasur durim. E dinim që do të kishim mundësi në fund, provuam vazhdimisht. Ishte një ndeshje në të cilën duhej ta lëviznim topin dhe të gjenim hapësira. Në fund ia dolëm. E demonstruam një mentalitet të mirë dhe bëmë sakrifica për t’ia dhuruar Real Madridit fitoren”, deklaroi Bellingham pas lojës.
“6 gola sezonale? Unë më shumë kam dëshirë të krijoj raste për skuadrën time. Shpresoj që këto seri të fitoreve do të vazhdojnë. Shokët e skuadrës, stafi, fizioterapeutët, të gjithë me kanë pritur mirë. Jam adaptuar shumë më shpejt se që e mendoja. Çdo ditë arrij me buzëqeshje në fushën e blertë. Nuk e kam ndonjë objektiv të caktuar, thjesht të luaj ndeshje pas ndeshjeje. E rëndësishme është, si sot, që të mund ta jap kontributin tim për skuadrën”, përfundoi Bellingham. /Gazeta Express/