Patriot Behrami, është i bindur që me një mbështetje më të madhe, boksi i Kosovës mund të kthehet në nivelet e dikurshme
Dikur bëhej luftë për të siguruar një biletë për të qenë i pranishëm në palestër, aty ku i zhvillonte meçet e boksit KB Prishtina. Aty ishte vendi ku shqiptarët ndiheshin krenarë që janë shqiptarë. Por sot gjërat duken krejt ndryshe dhe shumë më keq. Sot boksi i Kosovës nuk është as hija e atij të viteve ’70-a e ’80-a, shkruan Zëri.
Sigurisht se në atë kohë edhe rrethanat e bënin të veten pasi përmes boksit shqiptarët sikur hakmerreshin ndaj dhunës së vazhdueshme që e përjetonin nga okupatori serb dhe mundësia më e mirë për t’u kundërpërgjigjur atyre ishte ringu, aty ku shqiptarët tregoheshin se sa të fortë dhe krenarë janë.
Federata e Boksit e Kosovës aktualisht është pa kryetar, pasi ka pothuajse katër muaj që nga dorëheqja e kryetarit Ramadan Selimi dhe që nga atëherë kjo Federatë funksionon pa kryetar.
Gjithsesi, ky institucion tashmë është duke u përgatitur për zgjedhje të reja dhe duket se shumë shpejt do ta kemi një kryesi të re, derisa përmenden emra të njohur që mund të konkurrojnë për këtë post.
Sa u përket klubeve edhe ato nuk janë hiç në gjendje të mirë, derisa mbështetja e tyre nga komunat është pothuajse zero.
Se boksi është në ditët më të vështira të saj dëshmon edhe fakti që me rastin e kategorizimit të sporteve boksi u vendos në kategorinë C, që është për keqardhje sipas njohësve të këtij sporti.
Lavdia e boksit njihet në vitet e ’70-ta e ’80-a kur klubi i boksit Prishtina, që drejtohej nga trajneri më i mirë i të gjitha kohërave Lah Nimani, kishte ndërtuar një gjeneratë të frikshme të asaj periudhe duke arritur të dalë plot pesë herë kampione dhe gjashtë herë nënkampione e Jugosllavisë. Kjo gjeneratë dukej e pathyeshme atëherë, ndërsa sot duket e paarritshme nga boksierët e rinj.
Njëri nga boksierët më me perspektivë – Patriot Behrami, është i bindur që me një mbështetje më të madhe nga institucionet, boksi i Kosovës mund të kthehet në nivelet e dikurshme.
“Unë jam inspiruar shumë nga gjenerata e artë që janë marrë me boks dhe kjo më shtyn të punoj shumë që t’i arrijë ata. Ky është viti i dytë i imi që kam dalë në grupin e seniorëve dhe është një përvojë e mirë. Unë zura vendin e pestë në Lojërat Evropiane dhe nëse duam rezultate më të mëdha na duhet një mbështetje më shumë nga Ministria e Sportit. Ne kemi nevojë për më shumë meçe ndërkombëtare dhe sigurisht të na mundësohet pjesëmarrja në kampe të nivelit evropian e botëror, që të arrijmë rezultate edhe më të mëdha e pse jo rezultate sikur dikur që kishte gjenerata e artë”, ka thënë Patriot Behrami për gazetën “Zëri”.
Ai stërvitet me trajnerin Besim Brahimi, i cili gjithashtu e stërvit edhe krenarinë e re të sportit kosovar, boksieren Donjeta Sadiku. Kjo në vitin 2016 u shpall kampione e Evropës për Juniore.