Behgjet Pacolli paralajmëron padi ndaj gazetarit Enver Robelli - Gazeta Express
string(62) "behgjet-pacolli-paralajmeron-padi-ndaj-gazetarit-enver-robelli"

Behgjet Pacolli paralajmëron padi ndaj gazetarit Enver Robelli

Gazeta Express

17/01/2020 17:51

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe gazetari Enver Robelli me gjasë do të përballën edhe një herë para gjykatës. Kjo pasi që sot gjatë ditës Robelli ka bërë tërthorazi akuza të rënda për Pacollin duke e ndërlidhur me vrasjen e Jusuf Gërvallës. Në një përgjigje për Gazetën Express, kreu i AKR-së ka bërë të ditur se do të padisë Robellin për shpifje.

Gazetari Enver Robelli sot e ka ndërlidhur emrin e Behgjet Pacollit, me njërin nga atentatet më të tmerrshme ku janë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Lexo Edhe:

Në 38 vjetorin e kësaj vrasje, Robelli teksa ka kritikuar shtetin e Kosovës që nuk ka bërë asgjë për të zbardhur prapavijen e asaj se çka ndodhi, ka thënë  se Pacolli kishte qenë i afërt me Selim Broshën që u vra pas luftës në Prishtinë, e që sipas tij ka pasur informacione mbi këto vrasje.

Ai thotë se po në atë kohë Pacolli dha një intervistë për një gazetë serbe të afërt me UDB-në. Artikulli i kësaj gazete ilustrohej me fotografi ku Pacolli mes tjerash shihej me Selim Broshën, duke pirë birra në një lokal të Prishtinës. E kjo, sipas Robellit, ndodhi pikërisht në kohën pasi në Gjermani u vranë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka.

“Pas çlirimit të Kosovës oligarku dhe palaçoja i skenës politike të Kosovës, Behgjet Pacolli, i dha një intervistë një reviste të Beogradit të afërt me UDB-në. Intervista u ilustrua edhe me shumë fotografi, mes tyre, shend e verë, duke pirë birra në një lokal në Prishtinë: Pacolli dhe Brosha. Diku në vitet 80-të. Pasi në Gjermani ishte vrarë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka”, shkruan Robelli.

Ai shkon edhe më tutje, duke thënë se Brosha ka qenë pjesë e ekipit për përgatitjen e terrenit për vrasjen e Jusuf Gërvallës konfirmohet edhe në aktet e Policisë Federale të Zvicrës.

“Që Selim Brosha ka qenë pjesë e ekipit për përgatitjen e terrenit për vrasjen e Jusuf Gërvallës – për këtë nuk lënë dyshim aktet e Policisë Federale të Zvicrës. Është shumë e mundur që vrasësit, pra ata që kanë tërhequr këmbëzën e armës, të kenë qenë tipa të llojit të Arkanit, por për shkrimin e historisë së Kosovës është me rëndësi të dihet kush i çoi vrasësit te banesa e Jusuf Gërvallës në Gjermani? Kush e përcolli te kriminelët e regjimit të Beogradit informacionin se Kadri Zeka nga Zvicra lindore u nisë në takim me vëllezërit Gërvalla në Untergruppenbach të Gjermanisë? Ka shumë gjasa që këtë shërbim pushtetit serb t’ua kenë bërë kriminelët shqiptarë. Kosova zyrtare nuk interesohet për këso detajesh. Prioritet janë interesat e momentit, plaçkitja e shtetit, tallja me vuajtjen e njerëzve”, shkruan ai.

Për këto deklarata që sot gjatë ditës i ka bërë gazetari Robelli ka paralajmëruar padi për shpifje ministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli. Kështu ka konfirmuar i njëjti në një përgjigje për Gazetën Express.

Kjo nuk është hera e parë që Pacolli dhe Robelli për përballen në Gjykatë.

Pacolli kishte fituar gjyqin ndaj gazetarit në një gjykatë zviceriane në Zurich të vitit 2016-të, pasi që e kishte paditur Robellin për shpifje me anë të shkrimeve në disa media.

Në bazë të vendimit të gjyqit, që e kishte siguruar Gazeta Express, Robelli ishte gjobitur me 1500 franga zvicerane (6 mijë franga nëse e përsërit veprën) dhe me detyrimin për t’i paguar shpenzimet e gjyqit. I kontaktuar nga Express, këtë lajm Robelli e pati quajtur të pavërtetë.

“Është e pavërtetë. Është thjesht një manipulim dhe keqpërdorim të dhënash, asgjë me shumë”, tha ai të hënën.

Kreu i AKR-së i kishte prishur punët me Robellin në mars të vitit 2015-të, duke e akuzuar atë se i kishte kërkuar një shumë të madhe të parave prej 60 mijë euro për t’ia shkruar biografinë.

Më 4 mars 2015, Behgjet Pacolli kishte paralajmëruar padi ndaj Robellit përmes një postimi në Facebook./GazetaExpress/