Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti sot marrëveshjen historike midis Izraelit dhe Hamasit, të shpallur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një deklaratë zyrtare, Begaj e vlerësoi këtë marrëveshje si “një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe të drejtë, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve.”
Ai theksoi rëndësinë e këtij momenti duke theksuar se “arrijtja e fazës së parë të planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit është një kontribut i vyer për stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme.”
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu rolin dhe angazhimin e Presidentit Donald Trump në këtë proces, duke thënë se “kontributi dhe përkushtimi i tij kanë qenë kyç në arritjen e këtij procesi historik për paqen.”
Ai shprehu besimin se ky sukses do të ndihmojë në ndërtimin e një dialogu më të thellë midis palëve dhe do të krijojë një rrugë drejt zgjidhjes afatgjatë të konflikteve në rajon.
Në mesazhin e tij, Begaj nënvizoi se “dialogu dhe mirëkuptimi mbeten rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e Lindjes së Mesme.”