Bedri Hamza nga Uashingtoni për Express: SHBA na konsideron partner - Qeveria e reduktoi aleancën në komunikime të ashpra për krizat me Serbinë - Gazeta Express
string(140) "bedri-hamza-nga-uashingtoni-per-express-shba-na-konsideron-partner-qeveria-e-reduktoi-aleancen-ne-komunikime-te-ashpra-per-krizat-me-serbine"

Bedri Hamza nga Uashingtoni për Express: SHBA na konsideron partner – Qeveria e reduktoi aleancën në komunikime të ashpra për krizat me Serbinë

Ballina

Gazeta Express

08/08/2024 13:21

Kandidati i Partisë Demoratike të Kosovës Bedri Hamza ka nisur një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Michael Carpenter, asistent special i Presidentit Biden. Hamza në një intervistë për Gazetën Express nga Uashingtoni ka thënë se qëllimi i vizitës në SHBA “është përforcimi i pozitës së Kosovës në SHBA por edhe përgatitja për qeverisjen e ardhshme dhe një faqe e re të ri-ndërtimit të marrëdhënieve strategjike pas zgjedhjeve nacionale”. Hamza ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleate historike dhe se shtetin e Kosovës e konsiderojnë partner, por, sipas tij, Kurti aleancën me Uashingtonin e ka reduktuar në komunikime të ashpra për krizat javore me Serbinë.

Gazeta Express: Z. Hamza, jeni në Uashington DC në kohë të tensioneve në veri dhe kritikave të ashpra që vijnë nga administrata amerikane dhe QUINT kundër veprimeve që ata i quajnë “të njëanshme” të qeverisë së Kosovës. Ju keni pasur një takim të rëndësishëm në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe jeni i vetmi politikani kosovar që në këto vitet e fundit është pritur në Shtëpinë e Bardhë. Cila ishte porosia kryesore nga SHBA?

Lexo Edhe:

B.Hamza: Për mua ka qenë dhe mbetet gjithmonë nder që të bashkëpunoj me administratën amerikane gjatë më shumë se dy dekadave të angazhimit tim politik. Mesazhi kryesor që mora nga takimi me Ambasadorin Michael Carpenter, i cili është asistent special i presidentit Biden si dhe drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, ishte i qartë si gjithmonë: “SHBA-ja përkrah sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”. 

Qeveria amerikane dëshiron të shkojmë edhe më tutje dhe ta realizojmë vizionin tonë të përbashkët për integrim në NATO dhe BE. Mirëpo, mbështetja amerikane kërkon partneritet të vërtetë dhe bashkëpunim dhe koordinim bilateral. Kjo është fundamentale, mbi të gjitha, SHBA-të e konsiderojnë Kosovën si shtet partner. Prandaj edhe kërkojnë që ne të sillemi në përputhje me këtë relacion, të jemi të koordinuar dhe të bashkëpunojmë ngushtë dhe strategjikisht duke menduar për konsolidimin e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-s. Fatkeqësisht, qeveria jonë e ka reduktuar aleancën tonë në komunikime të ashpra rreth krizave javore me Serbinë. 

Gazeta Express: Ju jeni i nominuari për kryeministër, por jeni edhe kryetar i Mitrovicës. Cili është opinioni i juaj për hapjen e urës kryesore për automjete në Mitrovicë?

B.Hamza: Ura mbi Ibër duhet të hapet. Ura kryesore e Ibrit është tashmë e hapur për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por duhet të hapët edhe për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, mbeten vetëm edhe dy detaje që duhet adresuar: kur dhe si të hapet? Janë po këto ‘detaje’ që e mbajtën të mbyllur atë kaq gjatë.

Dhe, po, janë po këto detaje të cilat i pranoi edhe Kryeministri e edhe ministri i tij i brendshëm, që të dy e pranuan se nuk dinë se si ta bëjnë një gjë të tillë dhe nuk e kanë as përkrahjen ndërkombëtare. Këtë e kanë ditur edhe përpara, e dinë edhe tash. 

Sikurse edhe dhjetëra herë më herët edhe këto ditë po dëshmojmë një ortek të manipulimeve të opinionit publik nga kjo qeveri në shkuarje. Veprimet e tyre në veri s’janë tjetër veçse një farsë e paramenduar propagandistike. Për qëllime të spektaklit elektoral, Albin Kurti sot po përpiqet që së pari t’i mbyllë disa filiale të shërbimeve publike të Serbisë, që mos të diskutojmë dështimet në ekonomi, dështimet në arsim, dështimet në investime kapitale, shkeljet e hatashme të ligjit në prokurime dhe tendera njëburimorë. Lista e dështimeve dhe e dëshpërimeve me këtë qeverisje është tepër e gjatë. 

Po e përsëris, ura mbi Ibër duhet të hapet. Mirëpo, jo duke i rrënuar të gjitha urat tjera me botën, me partnerët dhe me bashkëqytetarët tonë në veri. Ura duhet të hapet si simbol i bashkëpunimit me qytetarët dhe aleatët tonë. Kështu siç po vepron kjo qeveri e papërgjegjshme, po rrezikojmë që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë shumë të gjatë. Albin Kurti nuk po e hap dot urën, veç sa po e cementon prezencën e NATO-s mbi atë urë. Nuk po forcohet sovraniteti por Qeveria e Kosovës po e kthen KFOR-in dhe EULEX-in dhe po e kthen Rezolutën 1244. Ky është zhvillim për keqardhje.

Gazeta Express: Pse aleatët ndërkombëtarë po hezitojnë të përkrahin veprimet e  Kurtit në veri të vendit?

B. Hamza: Unë nuk kam parë asnjëherë hezitim të aleatëve për ta ndihmuar Kosovën. Aleatët strategjikë janë ndër të tjera edhe hisedarë për lirinë dhe pavarësinë tonë. Rrugëtimi ynë i gjatë dhe i suksesshëm ka qenë dhe duhet të mbetet i përbashkët. Jo shumë kohë më parë, aleatët tanë kanë aprovuar shitjen e raketave Javelin për Kosovën për t’i mundësuar Kosovës rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Aleatët si SHBA-të po investojnë qindra milionë euro si grante e jo kredi për pavarësimin energjetik të Kosovës. Kosova pa aleatë nuk mund ta zë vendin e merituar në BE, NATO dhe ndoshta edhe në OKB. Kosova pa aleatë lehtë mund t’i ekspozohet një rreziku të paparashikuar me pasoja të rënda.  

Por kjo qeveri në ikje e Kosovës tash e katër vite ka ndërmarrë veprime populiste të cilat shpeshherë kanë acaruar aleatët tanë, pa ndonjë benefit për qytetarë. Qeveria aktuale në vend se të fokusohet në punët e veta të shumta, ka mbetur peng i obsesionit ndaj Serbisë. 

Në diskursin publik, qeveritarët vazhdojnë t’ia qajnë hallin vetëm Serbisë dhe flasin vetëm për Serbinë për ti’ mbuluar të gjitha dështimet e tyre. Propaganda qeveritare fillon më “kërcënimet për luftë me Serbinë” dhe përfundon më të njëjtën gjë. Kjo është një qasje e gabuar e cila nuk sjell asgjë të mirë. Duke u marrë vetëm me Serbinë, qeveria e jonë i ka harruar minatorët, mësuesit, policët, mjekët, ushtarët, pensionistët e shumë e shumë çështje tjera të rëndësishme. 

Qytetarët e Kosovës meritojnë shumë më mirë dhe plani im synon të bëjë pikërisht këtë gjë. Unë dua të sigurohem se qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe, me paga shumë më të larta dhe me mirëqenie shumë më dinjitoze.

Gazeta Express: Vizita e juaj në Uashington filloi me Shtëpinë e Bardhë, a keni edhe takime tjera dhe cilat janë përshtypjet e juaja për marrëdhëniet Kosovë-SHBA?

B.Hamza: Jam në Washington në një periudhë kyçe për Kosovën dhe jam mirënjohës që gjeta dyer të hapura në nivelin më të lartë të politikëbërjes amerikane, përfshiRë takimin në Shtëpi të Bardhë, në Këshillin për Siguri Kombëtare, por edhe në Departamentin e Shtetit. 

Kam takime edhe me ekspertë të ndryshëm të sigurisë, të diplomacisë por edhe të ekonomisë. Kam takime edhe me diasporën e fuqishme shqiptare. 

Qëllimi është të përforcoj pozitën e Kosovës këtu por edhe të përgatitemi për qeverisjen e ardhshme dhe një faqe të re të rindërtimit të marrëdhënieve strategjike pas zgjedhjeve nacionale. SHBA është aleatja kryesore historike e Kosovës. Por, bota po ndryshon dhe Kosova nuk mund të bëjë progres pa u treguar e përgjegjshme dhe bashkëpunuese në përpjekjet për mbylljen e kapitujve të hidhur dhe hapjen e atyre të paqes në Ballkan. 

Qytetarët e Kosovës duan vende pune, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. Nuk është guxim t’i themi ¨Jo!¨ Amerikës dhe bashkëpunimit me Amerikën. Do te duhej të ishte nder dhe obligim për çdo lider kosovar që Amerikën ta ketë adresën fillestare të koordinimit dhe bashkëpunimit.

Gazeta Express: Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë edhe më pak se gjysmë viti, ndërsa ju jeni kandidati i PDK-së për Kryeministër. A keni plan konkret për veri, por edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin, të cilat këto muajt e fundit duket që janë lënduar, përfshirë edhe veton që vendosën Gjermania dhe Franca ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës?

B.Hamza: Plani im për Kosovën dhe qytetarët e saj është gati pas konsultimeve me qytetarë dhe do ta prezantojmë shumë shpejt. Unë kam shërbyer si ministër i Financave në dy mandate, si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Populli i Kosovës me njeh mua mirë dhe unë i njoh nevojat e tyre. Qytetarët e mbajnë mend shumë mirë që nuk kam hezituar për t’i rritur pagat e të gjitha kategorive. Kam arritur të akomodoj edhe rritjen e buxhetit edhe investime rekorde kapitale edhe rritjen e rrogave. 

Kemi sjellë investitorë botërorë në aeroport e energjetikë dhe këto janë botërisht të njohura. Plani im konsiston në zhvillim ekonomik dhe investime strategjike, duke përfshirë edhe gazpërçuesin amerikan, rritje te kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. 

Në aspektin ndërkombëtar, është jetike që Kosova të mbetet në rrugën e sigurt për Partneritet për Paqe dhe pastaj anëtarësim në NATO dhe BE. Kam marrë garanci nga bashkëbiseduesit në Shtëpinë e Bardhë që ky proces jo vetëm që është real, është edhe i dëshirueshëm nga SHBA-të, por kërkon që edhe ne të punojmë e mos të rrimë duarkryq. 

Unë jam politikan që do të dialogoj me Amerikën dhe Evropën për Kosovën e integruar në familjen euroatlantike dhe nuk do të lejoj që agjenda e Kosovës të mbetet peng i tekave të Vuçiçit apo Serbisë. Veriu i vendit është dhe do të mbetet pjesë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. 

Gazeta Express: A keni përkrahje nga Administrata Biden si kandidat i nominuar për Kryeministër?


B.Hamza: Adresa e vetme ku e kërkoj përkrahjen janë votuesit e Kosovës. Ata ma kanë dhënë përkrahjen e madhe të fitoj në raundin e parë në Mitrovicë dhe prej tyre pres përkrahjen për zgjedhje nacionale. 

Kosova është e bekuar që ka pasur përkrahjen e Republikanëve dhe Demokratëve amerikanë dhe e konsideroj të gabueshme politizimin partiak që partia jonë në pushtet ka tentuar ta bëjë duke u përfshirë në politikë amerikane. Bisedat e mia me përfaqësues të Administratës së Presidentit Biden, por edhe këshilltarëve të Presidentit Trump, është e fokusuar ta kuptoj të gjithë potencialin e bashkëpunimit pas zgjedhjeve në Kosovë. Jam i fokusuar në të ardhmen.