Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas dështimit edhe për herën e dytë të partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar qeverinë, tha se tashmë është koha për një qeveri që punon/
Ai tha se qytetarët tashmë duhet ta kthejnë stabilitetin institucional përmes votës, ndërsa tha se presidentja Vjosa Osmani duhet të caktojë datën e zgjedhjeve sa më parë.
“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore”.
Hamza tha se sot “e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja”.
“Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur. Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme. Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, shkroi ai./Express/