BE shpalos planin për tarifa dhe sanksione të reja kundër Izraelit shkaku i luftës në Gazë - Gazeta Express
string(90) "be-shpalos-planin-per-tarifa-dhe-sanksione-te-reja-kunder-izraelit-shkaku-i-luftes-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 14:49

BE shpalos planin për tarifa dhe sanksione të reja kundër Izraelit shkaku i luftës në Gazë

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 14:49

Bashkimi Evropian (BE) e ka shpalosur të mërkurën planin e tij më të ashpër deri tani për t’i bërë trysni Izraelit që ta përfundojë luftën në Rripin e Gazës, ku palestinezët po detyrohen të ikin nga tanket, dronët dhe trupat izraelite që po futen gjithnjë e më thellë në enklavën bregdetare të shkatërruar nga lufta gati dyvjeçare.

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, u bëri thirrje 27 vendeve anëtare t’i rrisin tarifat ndaj disa mallrave izraelite dhe të vendosin sanksione ndaj 10 drejtuesve të Hamasit, kolonëve izraelitë dhe dy anëtarëve të kabinetit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu: ministrit për Siguri Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave Bezalel Smotrich.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne po i propozojmë këto masa jo për ta ndëshkuar Izraelin apo popullin izraelit, por për të ushtruar trysni mbi Qeverinë izraelite që të ndryshojë kurs dhe t’i japë fund vuajtjeve të njerëzve në Gazë”, tha Kallas.

“Lufta duhet të përfundojë, vuajtjet duhet të ndalen dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, shtoi ajo.

Sanksionet do të nënkuptonin ngrirje të aseteve të individëve në Evropë dhe do t’ua ndalonin atyre udhëtimin brenda BE-së.

BE-ja është partneri më i madh tregtar i Izraelit, prandaj tarifat mund të kenë pasoja të mëdha në ekonominë izraelite, e cila tashmë është tronditur nga kostoja e një lufte të gjatë.

Rreth 32 milionë euro fonde dypalëshe të kontrolluara nga Komisioni Evropian do të pezulloheshin menjëherë. Komisioni gjithashtu e mbështet edhe Autoritetin Palestinez.

Izraeli mohon se në Gazë ka bie buke dhe thotë se lejon hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i dërgoi një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u zotuar se Izraeli nuk do t’i nënshtrohet fushatës evropiane.

“Trysnia përmes sanksioneve nuk do të funksionojë. Shteti i Izraelit është komb krenar dhe sovran, dhe ne nuk do të përkulemi përballë kërcënimeve, ndërkohë që siguria e Izraelit është në rrezik”, shkroi ai në letër.

Anëtarët e BE-së të ndarë rreth Izraelit

Bashkimi Evropian, me 27 vende anëtare, ka qenë i ndarë gjatë 23 muajve të fundit të luftës në Rripin e Gazës.

Nuk është e qartë nëse shumica e tyre do të pajtohen për t’i miratuar sanksionet dhe masat tregtare.

Gjakderdhja në Gazë ka nxitur protesta në qytete të shumta evropiane, nga Amsterdami në Barcelonë, dhe ka shtuar kritikat ndaj burokracisë së Brukselit për paaftësinë e perceptuar për të ushtruar trysni të mirëfilltë mbi Izraelin që të ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare.

Numri i të vrarëve në Gazë ka kaluar shifrën mbi 67.000 palestinezë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklavës.

Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

“Pezullimi i pjesshëm i propozuar është përgjigje e menduar mirë ndaj një situate gjithnjë e më urgjente”, tha Maros Sefcovic, përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian.

Çfarë përmban propozimi

Nëse mjaftueshëm vende të BE-së pajtohen, atëherë do të vendosen tarifa në vlerë rreth 230 milionë euro ndaj 37 për qind të mallrave izraelite, të vlefshme 15.9 miliardë euro, që i importon BE-ja, tha Sefcovic. Aktualisht, BE-ja nuk vendos tarifa mbi këtë kategori mallrash izraelite falë një Marrëveshjeje Asociimi.

Një shqyrtim i bërë nga korpusi diplomatik i BE-së në qershor gjeti se Izraeli kishte shkelur komponentin e të drejtave të njeriut të kësaj marrëveshjeje, të quajtur Neni 2.

Kritikët evropianë të Izraelit kanë kërkuar që e gjithë marrëveshja tregtare të pezullohet për shkak të luftës në Gazë.

Por, tani për tani, komisioni propozon të heqë preferencën për zero-tarifë për një sasi të zgjedhur mallrash izraelite dhe të zbatojë tarifat e Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat variojnë nga 8 për qind në 40 për qind për produkte të ndryshme.

“Ne nuk po propozojmë të pezullojmë tregtinë me Izraelin, por po propozojmë të pezullojmë preferencat tregtare”, tha një zyrtar i lartë evropian i ngarkuar me komunikimin për Komisionin Evropian, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht sipas politikës së komisionit.

Propozimi pasoi njoftimin e javës së kaluar nga von der Leyen se ajo do të kërkonte sanksione dhe një pezullim të pjesshëm tregtar ndaj Izraelit për shkak të fushatës së tij ushtarake në Gazë, duke u hequr dorë nga qëndrimi i saj tradicionalisht proizraelit. /REL/