"BE, SHBA, MB e sidomos NATO", Kurti: Gjithmonë kam pasur orientim pro-perëndimor, s'dallojmë ne shqiptarët - Gazeta Express
string(100) "be-shba-mb-e-1sidomos-nato-kurti-gjithmone-kam-pasur-orientim-pro-perendimor-sdallojme-ne-shqiptaret"

“BE, SHBA, MB e sidomos NATO”, Kurti: Gjithmonë kam pasur orientim pro-perëndimor, s’dallojmë ne shqiptarët

Lajme

Gazeta Express

30/03/2024 23:27

Kryeministri Albin Kurti është pyetur për disa nga kundërshtitë e tij ndaj proceseve politike që i ndodhën Kosovës gjatë rrugëtimit të saj në podcastin e Ditmir Bushatit “Public Square”.

“Cilat janë dallimet e Albin Kurtit dikur në opozitë dhe shija e ‘opozitarit Kurti’ dhe ‘detyrat e kryeministrit Kurti’?”, ishte pyetja për Kurtin.

Lexo Edhe:

Ai në përgjigje tha se ka hyrë në politikë ka hyrë si “kritikues” e “kundërshtues”, por se gjithmonë ka pasë orientimin pro-perëndimor: “BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos NATO-ja”.

“Unë nuk është se kam kritikuar shumë rrugët e ndjekura. Për të thënë të drejtën, ne shqiptarët në Kosovë jemi pajtuar me këtë gjë. Dallimet tona gjithmonë kanë qenë të vogla, por dramatike. Ne këtë aspekt unë kam kritikuar dhe kam kundërshtuar, sepse kam besuar fuqishëm që mundemi më shumë dhe meritojmë më shumë. Pra, mund të bëjmë më shumë si popull, edhe si udhëheqje politike. Dhe në anën tjetër, meritojmë më shumë krahasuar me atë çfarë na ofronin faktorët ndërkombëtar. Pra, kritika ime e ka burimin te kjo. Jo se ndodhemi komplet në një orientim të gabuar. Gjithmonë e kam pasur orientimin pro-perëndimor: BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos NATO-ja. Nga orientimi, ne shqiptarët s’kemi pasur dallim. Kemi pasur dallim të strategjive, të taktikave, por do thosha dallime të ndjeshmërive të situatës”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për disa “koncensione” që Kosova ka bërë e që, sipas tij, s’ka qenë e nevojshme.

“Unë pra kam besuar përherë si kritikues i shndërruar në kundërshtues që mundemi më shumë dhe meritojmë shumë. Mundemi më shumë. Dhe ne për nga vullneti dhe fuqia meritojmë më shumë sesa propozimet dhe ofertat që vazhdimisht na vinin nga faktorët ndërkombëtare. Njësoj ka qenë dhe rasti i shpalljes së pavarësisë. Unë edhe sot e kësaj dite besoj se gjatë ‘bisedimeve të Vjenës’ kemi dhënë tepër shumë tepër herët. Nuk ka qenë e nevojshme të bëhen gjithë ato konçesione para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Unë besoj se konçesione të caktuara, të cilat unë s’kam qenë brenda, mund të kenë qenë të nevojshme, mirëpo ka qenë e mundur të afatizohen. Dhe në anën tjetër, gjithashtu ka qenë e mundur të lihen për më vonë me rastin e plotësimit të ndonjë kushti nga Serbia”.

Ai tha se plani i Ahtisaarit nuk çoi në një rezolutë të re që do ta zëvendësonte Rezolutën 1244.

T”a zëmë, ‘pakoja e Ahtisarit’ me atë decentralizim mbi baza etnike, me ulëset e garantuara dhe të rezervuara në Kuvend e kështu me radhë, në fakt është menduar që t’i pëlqejë edhe Serbisë dhe rrjedhimisht të kemi një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do ta zëvëndësonte Rezolutën 1244. Kjo nuk ndodhi. Meqenëse kjo nuk ndodhi, kur ne shpallëm pavarësinë, unë nuk besoj që ka qenë e nevojshme që të gjitha ato të zbatohen njëanshëm paçka se ishin negociuar me Serbinë. Ajo në fund i kishte fituar ato, por ishte ndarë e pakënaqur me vëllimin apo përmasën e tyre. Pra, Serbia i mori të gjitha konçesionet përmbajtjesisht dhe nuk e pranoi paketën formalisht dhe vazhdoi që të na sabotojë neve siç bën dhe sot e kësaj dite me elementë të ndryshëm kriminal, sidomos në veri të Kosovës”.

“Pra, dua ta sqaroj këtë dimension të politikbërjes nga ana ime me aq sa unë mund të analizoj veten. Unë gjithmonë e kam një lloj prirje të këtillë që të kërkoj më shumë, më mirë, më shpejt. E tash sot ku ndodhem e kuptoj që në mekanizmat shtetërore, kushtetuta, ligji dhe faktorët e dukshëm e padukshëm vendor e ndërkombëtar ta marrin kohën, ta marrin energjinë, ta komplikojnë përllogaritjen dhe mbase t’i bëjnë më të vështira dhe vendimet dhe sidomos zbatimin e tyre. Por, sido që të jetë nuk është se jam pishman për kritikën dhe kundërshtimet që kam bërë në të kaluarën”./Express/