Bashkimi Evropian ka ripërsëritur apelimin për ndalimin e presioneve dhe sulmeve ndaj SPAK-ut, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni. Mesazhi u dha gjatë një tryeze ku u diskutua për vlerësimin e performancës dhe integritetit të Prokurorisë së Posaçme, të organizuar nga delegacioni i BE-së në Tiranë.
Kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, theksoi se SPAK është një institucioni kyç për reformën në drejtësi dhe se pavarësia e tij është e pazëvendësueshme. “SPAK është një institucion fondamental. Pavarësia kërkon respekt të plotë për magjistratin dhe besim tek puna e tyre. Të gjithë duhet të ndalen së kryeri presion ndaj drejtësisë së re. Reforma e drejtësisë kërkon pavarësi dhe llogaridhënie. Ky vend ka bërë progres, por ka ende punë për të bërë,” deklaroi Gonzato.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve“, tha kreu i SPAK Altin Dumani.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, shtoi se “roli i ekzekutivit ndaj SPAK-ut është i konceptuar si një ndërveprim i kontrolluar institucional, që ndërton një mekanizëm mbështetës pa cënuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucionit.”
Nga ana e saj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali e pranoi se sistemi i drejtësisë ka ende mangësi, por tha se është në rrugën e duhur. “Sistemi i drejtësisë sot është larg nga të qenit i përkryer, por në rrugën e duhur të funksiononimit, kryesisht pavarësimi nga humori i politikës. SPAK dhe GJKKO janë shndërruar në model krahasimor për arkitekturën e tjetër të sistemit”, tha Spiropali.