Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, këtë pasdite pritet të vijë në Kosovë për vizitën e saj zyrtare që e nisi në Serbi dhe që do ta përfundojë në Shkup.
Sipas agjendës që e ka publikuar BE, Kallas në Kosovë do t’i takojë përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në njoftimin nga Brukseli nuk përmendet ndonjë takim me Kyeministrin në detyrë apo Kryeministrin në largim. Po ashtu Kallas nuk do ta takojë as Presidenten Vjosa Osmani pasi ajo ndodhet për vizitë në Zvicër.
Gazeta Express merr vesh se Kallas do ta takojë kreun e PDK’së Memli Krasniqi në ora 17 e 15, atë të AAk’së në 18 e 40.
Njoftimi për takimin e Kurtit ka ardhur nga kapaciteti i tij qveritar e jo ai partiak.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, u ka thënë disa mediave se “Kryeministri në detyrë” do ta ketë darkë me Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas.
“Kryeministri në detyrë Kurti sonte në mbrëmje e pret për një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas me rastin e vizitës së saj në vendin tonë. Ky takim do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Republikës sonë dhe Bashkimit Evropian si dhe temat me interes të përbashkët”, ka thënë Kryeziu për mediat.
Kallas, sikurse në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë do të mbajë konferencë për media e vetme. Por, këtë s’do ta praktikojë në Shkup ku është paralajmëruar një konferencë e përbashkët me kryeministrin Mickoski.