Bashkimi Evropian thekson se çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Brukseli ka konfirmuar se po e ndjek nga afër rastin e Igor Popoviqit, i cili u arrestua pasi gjatë një fjalimi e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë terroriste.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra e shtypit e BE-së thuhet se pritet respektim i plotë i sundimit të ligjit dhe i procedurave të rregullta ligjore.
Njëkohësisht, zyrtarët evropianë tërheqin vërejtjen se duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse – siç theksojnë – vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim i qëndrueshëm në këtë proces. /RTK