Tri ditë pasi rreth gjysmë milioni njerëz morën pjesë në koncertin e këngëtarit Marko Perkoviq Thompson në Zagreb – qytet kroat me rreth 770.000 banorë – ku u dëgjuan thirrje fashiste dhe përshëndetje ustashe, erdhi reagimi i Bashkimit Evropian (BE).
“Dënojmë çdo shprehje të fashizmit që na kujton periudhat më të errëta të historisë evropiane”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE) në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai shtoi se BE-ja ka një vendim kornizë për luftimin e racizmit dhe ksenofobisë, që obligon vendet anëtare të ndëshkojnë penalisht gjuhën e urrejtjes. Kjo përfshin nxitjen publike të dhunës ose urrejtjes ndaj individëve apo grupeve për shkak të racës, ngjyrës, fesë, origjinës apo përkatësisë kombëtare ose etnike.
Sipas BE-së, shtetet anëtare janë gjithashtu të detyruara të kriminalizojnë publikisht aprovimin ose relativizimin e krimeve si gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
“Autoritetet kombëtare janë përgjegjëse për të hetuar dhe trajtuar çdo rast të pretenduar të gjuhës së urrejtjes apo krimeve të urrejtjes, në përputhje me ligjet kombëtare që zbatojnë këtë vendim kornizë”, tha zëdhënësi i KE-së.
Këngëtari kroat, Marko Perkoviq Thompson, është kritikuar prej dekadash për përdorimin publik të simboleve fashiste të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (Nezavisna Drzava Hrvatska – NDH), një krijesë kukull e Italisë dhe Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjegjëse për vrasje masive, kampe përqendrimi dhe persekutime ndaj serbëve, hebrenjve, romëve dhe antifashistëve kroatë.
Pak ditë para koncertit, agjencia franceze e lajmeve AFP paralajmëroi se do të mbahej koncerti i një këngëtari i njohur për simpatitë e tij naziste, të cilit më herët i ishin anuluar koncertet në Berlin (2014), e pastaj edhe ne Zvicër, Holandë, Austri e Slloveni.
Pas koncertit, ku u këndua me thirrjen “Za dom spremni” (Gati për atdheun), vërshuan kritikat, por kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha se “nuk ka arsye për t’u habitur”.
Koncerti u dënua edhe nga Kongresi Evropian i Hebrenjve, i cili, në një reagim në platformën X, tha se ishte i tronditur nga “përshëndetjet naziste dhe sloganet fashiste”.
“Të tilla veprime madhështojnë kapitujt më të errët të historisë dhe nxisin antisemitizëm dhe urrejtje”, thuhet në deklaratën e Kongresit.
Ish-komisionarja për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, e cilësoi ngjarjen si një “ringjallje të turpshme të simbolikës fashiste”.
“Një jehonë e frikshme dhe një kujtesë e ashpër për të kaluarën e errët, të cilën Evropa është zotuar të mos e përsërisë kurrë më”, shkroi ajo në X.
Organizata joqeveritare “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut” në Kroaci kujtoi se edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar në vendimet e saj se përdorimi i përshëndetjeve dhe simboleve nazi-fashiste nuk mbrohet nga liria e shprehjes.
“‘Za dom spremni’ është në kundërshtim të plotë me vlerat themelore të qytetërimit”, deklaroi Ivan Novosel nga kjo organizatë.
Ndërkohë, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e quajti koncertin “sulmin më masiv ndaj vlerave kushtetuese të Kroacisë që nga fundi i viteve ’90, si dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Bashkimit Evropian”.
Edhe Avokatja e Popullit në Kroaci, Tena Shimonoviq Einwalter, e konsideroi shqetësuese praninë e simboleve që kujtojnë regjimin e NDH-së në rrugët e Zagrebit, një ditë para koncertit.
“Ai regjim nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e së tashmes apo së ardhmes sonë, sepse ishte ndërtuar mbi urrejtjen, vrasjet masive dhe diskriminimin ndaj njerëzve të kombësive, feve dhe bindjeve politike të ndryshme, të cilët trajtoheshin si qenie me vlerë më të ulët”, tha ajo.
Një ditë para koncertit, kryeministri kroat, njëherësh udhëheqës i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Pllenkoviq, vizitoi hipodromin e Zagrebit, ku u mbajt spektakli i këngëtarit Marko Perkoviq Thompson. Ai ishte i shoqëruar edhe nga fëmijët e tij.
HDZ është pjesë e aleancës së Partive Popullore Evropiane dhe e afërt me Unionin Kristian-Demokrat të Gjermanisë (CDU). Pllenkoviq nuk i dënoi mesazhet e kontestuara të koncertit, përfshirë thirrjet e Thompsonit që Evropa – një kontinent i karakterizuar nga multietniciteti – të rikthehet te “vlerat e krishtera”.
Kryeministri kroat nuk shprehu as habi për përmbajtjen e koncertit, duke thënë se “koncertet e Thompsonit janë të njëjta tash e 35 vjet”.
“Sa i përket rasteve të veçanta, ku ka simbole të ndaluara apo këngë problematike, policia do të ndërmarrë masa”, tha Pllenkoviq në një konferencë për media në Zagreb.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, theksoi se nuk duhet etiketuar qindra mijëra njerëz që morën pjesë në koncert, dhe se policia po vepron në përputhje me ligjin.
“Janë komunikuar qartë mënyrat se si policia do të veprojë, ashtu siç vepron edhe në tubime të tjera publike, përfshirë ndeshjet e futbollit”, tha Bozhinoviq.
Kryeministri Pllenkoviq shtoi, gjithashtu, se në lidhje me një nga këngët, “gjykatat kanë dhënë mendimin e tyre”.
“Sigurisht, e dija që gjithçka do të reduktohej në tri fjalët e para të këngës ‘Çavoglave’, e cila ekziston tash e 34 vjet dhe, me shumë gjasë, do të jetë edhe për 100 të tjera”, tha Pllenkoviq, duke shtuar se “këtë këngë nuk do ta censurojë askush”.
Në repertorin e Thompsonit, kënga më e kontestuar është “Bojna Çavoglave”, e krijuar në vitin 1991, gjatë luftës në Kroaci, ku vetë këngëtari mori pjesë si vullnetar.
Në këtë këngë, ai përshkruan mbrojtjen e fshatit të tij të lindjes, Çavoglave, nga forcat serbe. Kënga fillon me përshëndetjen famëkeqe “Za dom spremni”, ndërsa ndër vargjet e saj dëgjohet edhe thirrja: “Dëgjoni, vullnetarë serbë, bandë çetnike – do t’ju arrijë dora jonë edhe në Serbi.”
Në Kroaci, ligji ndalon interpretimin e këngëve apo shfaqjen e simboleve që prishin rendin dhe qetësinë publike. Dënimet për këtë variojnë nga 700 deri në 4.000 euro, ose me burgim deri në 30 ditë.
Përshëndetja “Za dom spremni” është gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën kroate, e cila ndalon çdo nxitje të urrejtjes kombëtare, racore apo fetare, shpjegojnë nga organizata “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut”.
Megjithatë, trajtimi i kësaj përshëndetjeje ustashe në Kroacinë e sotme është i ndërlikuar dhe i paqartë.
Për shembull, në vitin 2019, një këngëtar në Makarska u ndëshkua me gjobë për thirrjen “Za dom spremni” gjatë interpretimit të një kënge të Thompsonit. Por, në qershorin e 2020-tës, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje në Kroaci vendosi që, nëse Thompson fillon këngën e tij “Çavoglave” me këtë përshëndetje, kjo nuk përbën shkelje të rendit publik.
“Fakti që kjo thirrje është pjesë e një kënge autoriale nuk ndryshon realitetin se ‘Za dom spremni’ është një përshëndetje ustashe, që simbolizon një ideologji kriminale nazi-fashiste”, deklaroi Ivan Novosel nga “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut”.
Një komision i përzier shkencëtarësh, i themeluar nga qeveria kroate në vitin 2018, rekomandoi që kjo përshëndetje të mos ndëshkohet vetëm në rastet kur përdoret për të përkujtuar luftëtarët e rënë të milicisë partiake të Forcave Mbrojtëse Kroate (HOS) gjatë luftës së viteve 1991–1992.
Edhe gjatë koncertit në hipodromin e Zagrebit, Thompson, para se të thoshte “Za dom”, i pasuar nga masa që iu përgjigj me “spremni”, tha se i referohej luftës që filloi në vitin 1991.
“Imagjinoni gjysmë milioni njerëz të mbledhur në Berlin në një koncert të ekstremit të djathtë, duke bërtitur në kor ‘Sieg Heil’. E paimagjinueshme në Gjermani”, shkroi gazeta gjermane Berliner Zeitung, në një koment për koncertin e mbajtur më 5 korrik në Zagreb.
“Ndërsa në Kroaci, përshëndetja fashiste ‘Za dom spremni’ këndohet me zë të lartë nga turma”, raportoi gazeta.
Që në fillim të koncertit në hipodromin e Zagrebit, ku, sipas vetë Thompsonit, morën pjesë njerëz që kultivojnë “dashurinë për Zotin, familjen dhe atdheun”, këngëtari dërgoi një mesazh për Evropën: “Të kthehet te rrënjët dhe tradita.”
“Të rikthehet te rrënjët e saj të krishtera, sepse vetëm ashtu mund të bëhet përsëri e fuqishme”, tha ai nga skena.
Publicisti kroat, Luka Matiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se, sipas tij, nuk ka shumë kontradiktë midis koncertit të Thompsonit dhe vlerave të sotme evropiane, duke vënë në dyshim drejtimin e BE-së përballë, siç e quajti ai, hipokrizisë ndaj krimeve në Gaza apo shfrytëzimit të resurseve natyrore në Serbi.
“Një spektakël si ky, ku mblidhen gjysmë milioni vetë për të sulmuar ato vlera, nuk më habit aspak”, tha ai.
Në fakt, janë shitur mbi 450 mijë bileta, ndërsa organizatorët pretendojnë se në koncert morën pjesë 504 mijë persona. Megjithëse Thompson është shumë i popullarizuar në Kroaci dhe më gjerë, koncertet e tij janë anuluar në disa vende të Evropës, për shkak të mesazheve të tij problematike.
Thompson, gjithsesi, nuk është i vetmi artist që ka përjetuar anulime të koncerteve për shkak të simbolikës fashiste apo deklaratave të mëhershme.
Një shembull është festivali gjerman Rock im Park, që vitin e kaluar anuloi performancën e grupit amerikan të muzikës metal, Pantera, pasi në një video të vitit 2016, këngëtari Phil Anselmo shihej duke bërë përshëndetje naziste dhe duke thirrur “fuqi e bardhë”. Të njëjtat performanca u anuluan atë vit edhe në Austri./REL/