Në një përpjekje për ta mbështetur tranzicionin dhe rimëkëmbjen e Sirisë pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, Bashkimi Evropian ka hequr sanksionet ekonomike ndaj vendit.
Vendimi i fundit vjen pas një marrëveshjeje politike të arritur javën e kaluar nga ministrat e Jashtëm të BE-së për të hequr sanksionet.
Sipas Reuters, Këshilli ka njoftuar se BE-ja do të mbajë ende në fuqi sanksionet që lidhen me qeverinë e Assad-it dhe kufizimet për arsye sigurie, ndërsa do të vendosë gjithashtu sanksione të reja ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me valën e dhunës në mars.
“Këshilli do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet në terren dhe është i gatshëm të vendosë masa kufizuese të mëtejshme kundër shkelësve të të drejtave të njeriut dhe atyre që nxisin paqëndrueshmëri në Siri,” thuhet në deklaratën e Këshillit.