BE-ja do të propozojë një ligj kundër dhunës ndaj grave - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 16:30

BE-ja do të propozojë një ligj kundër dhunës ndaj grave

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 16:30

Komisioni Evropian do të propozojë një ligj për të luftuar dhunën kundër grave. Kjo pritet të ndodhë para fundit të këtij vitit, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Gratë duhet të jenë në gjendje të jetojnë të pavarura dhe të lira”, tha von der Leyen në fjalimin e saj vjetor të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Lexo Edhe:

“Gjatë pandemisë, shumë grave iu mohua kjo liri, për të jetuar me identitetin e tyre, që të shprehin vetveten dhe të dashurojnë kë të duan”, tha ajo.

Sipas disa të dhënave fillestare gjatë pandemisë në të gjithë bllokun evropian është përkeqësuar situata me dhunën ndaj grave.

Kufizimet e vendosura gjatë pandemisë në vendet anëtare përfshinin bllokime të përgjithshme, kufizime të lëvizjes dhe masa tjera.

“Kjo ishte një periudhë shumë e vështirë për ata që nuk kishin ku të iknin apo të fshiheshin nga torturuesit e tyre”, tha von der Leyen.

Sipas saj, projektligji të cilin planifikon ta përgatis Komisioni Evropian dhe i cili më pas do t’i paraqitet Parlamentit Evropian “ka të bëjë me ndjekjen penale si dhe parandalimin dhe mbrojtjen online dhe offline të grave”.

Pak vende të BE -së kanë statistika zyrtare mbi dhunën ndaj grave gjatë pandemisë.

Instituti Evropian i BE-së për Barazinë Gjinore tha në një raport se, në BE në përgjithësi, “më shumë se një e pesta e grave janë abuzuar fizikisht ose seksualisht nga një partner intim”.

Shifrat e Organizatave Joqeveritare tregojnë gjithashtu një rritje shqetësuese të dhunës ndaj grave në disa vende.

Në Belgjikë, 16 gra kanë vdekur nga dhuna që nga fundi i prillit, krahasuar me 24 n të gjithë vitin e kaluar, ndërsa Franca ka regjistruar 80 vrasje deri tani këtë vit, krahasuar me 90 për të gjithë vitin 2020.

Në Spanjë, në qershor, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme të vendit, të dhënat treguan se një grua vritej çdo tre ditë, krahasuar me një mesatare prej një në javë para urdhrit të izolimit në shtëpi.