BE i përgjigjet Thaçit për deklaratat në Mynih: Puna e Grenellit është një prej rrugëve që çon në normalizim - Gazeta Express
string(105) "be-i-pergjigjet-thacit-per-deklaratat-ne-mynih-puna-e-grenell-eshte-nje-prej-rrugeve-qe-con-ne-normalizim"

BE i përgjigjet Thaçit për deklaratat në Mynih: Puna e Grenellit është një prej rrugëve që çon në normalizim

Gazeta Express

14/02/2020 15:37

Peter Stano, zëdhënës i zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri,Josep Borell, ka thënë se puna që po e bën emisari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është vetëm një prej rrugëve që çon drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve. Këtë përgjigje Stano e ka dhënë për Gazetën Express, i pyetur se si i komentojnë deklaratat e Hashim Thaçit të bëra sot në Mynih, se nëse për dialogun do të mbetet adresë Brukseli, atëherë do të humben dhjetëra vite dhe se Kosova do të mbetet e izoluar

Besnik VELIU

Lexo Edhe:

Për presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, dialogu Kosovë-Serbi mund të marrë epilog shpejt vetëm nëse shfrytëzohet përkushtimi dhe interesimi aktual i administratës së presidentit të SHBA’së, Donald Trump. Sipas tij, nëse puna e dialogut do t’i lihet në dorë Brukselit, atëherë do të humben edhe disa dekada të tjera dhe Kosova do të mbetet e izoluar.

Këto deklarata presidenti i Kosovës i ka bërë pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të dy Letrave të Mirëkuptimit Prishtinë-Beograd në Mynih me ndërmjetësimin e emisarit të SHBA’së, Richard Grenell.

 “Nëse mbesim me adresë kah Brukseli rreth këtij procesi, atëherë do të humbim jo vite por dekada, dhe do të mbesim një vend i izoluar. Por, dua të shpresoj që do të jetë një proces i koordinuar mes Washingtonit dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë deklaratë të presidentit të Kosovës, Gazeta Express ka drejtuar pyetje në adresë të zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell.

Në një përgjigje të shkruar, zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Peter Stano, ka thënë se i mbështesin të gjitha veprimet të cilat lehtësojnë lëvizjen dhe komunikimin e njerëzve në Serbi dhe Kosovë, megjithatë ka rikujtuar se puna që po e bën Richard Grenelli dhe SHBA’ja është vetëm një prej rrugëve që çon drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Bashkimi Evropian mbështet të gjitha masat dhe veprimet që kontribuojnë në lehtësimin e lëvizjes dhe komunikimit mes njerëzve në Serbi dhe Kosovë. Kjo është vetëm një prej rrugëve drejt normalizimit të raporteve dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Peter Stano ekskluzivisht për Gazetën Express.

Siç ka potencuar Stano” Lidhjet e transportit rrugor, ajror apo hekurudhor mund të rrisin vetëm kontaktet mes njerëzve. Kjo është fitimprurëse për shembull për një komunikim më të mirë, mirëkuptim, dhe gjithashtu për turizmin dhe biznesin”.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE’së ka thënë se duhen më shumë hapa të tjerë, më shumë marrëveshje të tjera dhe më shumë normalizim.

Në fund ai ka thënë se do të do të shikojnë se çfarë do të ndodhë më pas me Letrat e Mirëkuptimit, përfshirë edhe ato që janë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë.

“Ne presim se çfarë do të ndodhë në vijim me këto Letrat e Mirëkuptimit, përfshirë edhe nënshkrimin e sotëm në Mynih, lidhur me marrëveshjet e arritura së fundi”, ka përfunduar Peter Stano për Gazetën Express.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjet që po nënshkruhen me ndërmjetësimin e Grenell ditë më parë për Gazetën Express kanë folur edhe nga Qeveria Federale. Nga Zyra e Merkel nuk kanë pranuar që t’i komentojnë përpjekjet amerikane, ndërkohë kanë thënë dhe vazhdimisht e përsërisin se mbështesin një dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me angazhimin e Grenell  për Express ka folur edhe eksperti dhe njohësi i rrethanave politike të Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, i cili ka thënë se më shumë se ekonomik, problemi Kosovë-Serbi është politiko-ideologjik./GazetaExpress/