Debati mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën po merr vrull. Presidenti i SHBA-s Trump tha se SHBA do të ndihmojë. Edhe planet e Berlinit janë të paqarta.
Një pikë e nxehtë në konsultimet në Shtëpinë e Bardhë ishin garancitë për siguri për Ukrainën gjatë një procesi të mundshëm paqeje me Rusinë. Pas takimit në Uashington krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-sëzhvilluan një takim virtual për të diskutuar për mundësitë për ta mbrojtur Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha pas bisedimeve se tani është koha për të përshpejtuar përpjekjet dhe për të realizuar mbrojtjen e premtuar – të ngjashme me atë të parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s. Sipas Presidentit të Këshillit të BE-së ditët në vijim, ndoshta para fundit të kësaj jave, personat përgjegjës për ushtrinë të vendeve të të ashtuquajturit Koalicion i të Gatshmëve të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca, do të konkretizojnë në konsultim me SHBA-në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën.
Trump dëshiron të ndihmojë nga ajri
Presidenti Trump tha pas samitit se SHBA-ja do t’i mbështesë garancitë për siguri për Ukrainën, por nuk dha detaje. Lidhur me ukrainasit ai vetëm siguroi: “Ne do t’u japim atyre mbrojtje shumë të mirë, siguri shumë të mirë”. Megjithatë në Fox News Trumpi u shpreh më vonë vetëm për mbështetje nga ajri. Trumpi deklaroi se SHBA mund të ofrojë mbështetje ajrore për paqeruajtësit evropianë në rast të një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai e hodhi poshtë përsëri idenë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.
Berlini në parim i gatshëm
Gjermania bëri të qartë se do të marrë pjesë në garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën. Megjithatë, forma e pjesëmarrjes do të vendoset vetëm “pasi të jetë arritur një marrëveshje mbi kuadrin e gjerë”. Sipas burimet qeveritare “vendimi konkret se cili do të jetë kontributi i Gjermanisë do të merret në një datë shumë më të vonë.”
Ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), tha se po punojnë me intensitet për garanci të besueshme sigurie dhe theksoi: “Ne po marrim parasysh, së pari, progresin e negociatave, së dyti, një kontribut të mundshëm të SHBA-së dhe së treti, koordinimin me partnerët tanë më të ngushtë”. /DW