Në Prishtinë u mbajt takimi i 13-të i Grupit të Veçantë BE–Kosovë për Reformën e Administratës Publike (RAP), bashkëkryesuar nga Bardhyl Dobra, zëvendësministër në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, dhe Julien Crampes, Zëvendësshef në Komisionin Evropian, Njësia për Kosovën dhe Serbinë.
Takimi, në të cilin morën pjesë përfaqësues të KE-së dhe Kosovës, u përqendrua në planet dhe progresin e bërë nga autoritetet kosovare drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, me llogaridhënie të shtuar dhe siguri më të lartë ligjore në lidhje me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Në linjë me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024 dhe angazhimet për reforma të ndërmarra nga Kosova në kuadër të Planit të Reformës dhe Rritjes, Komisioni e inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin efikas të Strategjisë së RAP-it dhe asaj për Menaxhimin e Financave Publike, duke përfshirë konsultimet e rregullta me publikun dhe shoqërinë civile.
“Me kornizën ligjore të rishikuar për shërbimin publik të Kosovës, e cila prezanton një sërë reformash gjithëpërfshirëse që po zbatohen gradualisht, përfaqësuesit e KE-së theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të vazhdueshme, në veçanti lansimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit në shërbimin publik, zvogëlimin e numrit të emërimeve menaxheriale në detyrë dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e reformës së pagave”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
KE-ja përshëndeti përparimin e shënuar në zbatimin e agjendës digjitale dhe të strategjisë së qeverisjes elektronike për të përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve dhe të programit të zvogëlimit të barrës administrative.
“Në kuadër të raportimit mbi përparimin e bërë, Kosova prezantoi Raportin e vitit 2024 për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i cili u publikua për herë të parë në shtator të vitit 2025. Bazuar në këtë raport, Kosova informoi se rekrutimet e grave dhe të rinjve u rritën në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 dhe procedurat e rekrutimit tërhoqën një numër më të lartë aplikantësh”, thuhet në njoftim.
Kosova riafirmoi përkushtimin për të zbatuar në tërësi strategjitë për reformën e administratës dhe menaxhimin e financave publike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, ndërsa palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin teknik për të garantuar një zbatim efikas dhe në kohë të reformave të ndërmarra.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...