Veggie burgerët (burgerët veganë), salsiçet vegane apo “steak”-ët e tofu-së mund të zhduken nga raftet e supermarketeve në BE me emrat që i njohim deri tani.
Parlamenti Europian ka votuar që termat “burger”, “steak” dhe “salsiçe” të rezervohen vetëm për produktet që përmbajnë mish.
Propozimi u iniciua nga eurodeputetja franceze Céline Imart dhe gjeti mbështetje të fortë nga industria e mishit në Francë, duke u miratuar me 355 vota pro dhe 247 kundër. Megjithatë, rregulli duhet ende të kalojë në Këshillin e BE-së përpara se të bëhet ligj.
“Një steak apo një salsiçe janë produkte të bagëtive tona, jo të laboratorëve apo bimëve. Ka nevojë për transparencë ndaj konsumatorit dhe respekt për punën e fermerëve,” deklaroi Imart.
BE tashmë ka vendosur kufizime të ngjashme për qumështin dhe nënproduktet e tij: termat “milk”, “cheese” apo “butter” nuk lejohen për pijet bimore, që duhet të etiketohen si “oat drink” e jo “oat milk”.
Reagime të ndara: Nga mbështetja franceze te kundërshtimet gjermane
Nisma ka marrë përkrahje të fortë nga partia Popullore Europiane, sidomos deputetët francezë të lidhur me bujqësinë. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz e ka mbështetur: “Një salsiçe është salsiçe. Salsiçja nuk është vegane.”
Por kundërshtimet nuk munguan. Vetë lideri i grupit të EPP-së në Parlament, Manfred Weber, tha se kjo nuk është prioritet dhe se “konsumatorët nuk janë aq naivë sa të ngatërrojnë një steak lulelakre me mishin e vërtetë.”
Një sondazh i organizatës BEUC (Organizata Europiane e Konsumatorëve) tregoi se gati 70% e europianëve e kuptojnë qartë çfarë blejnë, për sa kohë që produkti është i etiketuar si “vegan” apo “vegjetarian”.
Në Gjermani – tregu më i madh i ushqimeve bimore në BE – zinxhirë si Aldi, Lidl dhe Burger King, bashkë me prodhuesin e salsiçeve Rügenwalder Mühle, i kanë dërguar një letër të hapur Parlamentit duke kundërshtuar rregullin, duke thënë se “u vështirëson konsumatorëve marrjen e vendimeve të informuara.”
Edhe organizatat mjedisore si Greenpeace e kanë cilësuar ndalimin si një “fitore të lobit të fuqishëm të mishit”, duke paralajmëruar se mund të pengojë konsumin e alternativave bimore që kanë ndikim më të ulët në klimë.
Nga “burgerët vegane” tek mishi i laboratorit
Konsumi i alternativave bimore është rritur pesëfish në BE që prej vitit 2011. Tani, kritikët frikësohen se rregulli i ri mund ta ngadalësojë këtë trend.
Ndërkohë në Britani, shkencëtarët kanë prezantuar një tjetër risi: një “steak derri” të rritur në laborator nga disa qeliza shtazore.
Filetoja 33 gramëshe, e krijuar në Newcastle, ka të njëjtën strukturë, shije dhe aromë si mishi i vërtetë dhe besohet se së shpejti mund të dalë në treg. /GazetaExpress/
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...