Nëpërmjet një reagimi nga BDI vlerësojnë që akuzat politike nuk janë zgjidhja, por vetingu dhe sundimi i ligjit është zgjidhja.
“Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron të papranueshme dhe të rrezikshme gjuhën populiste dhe sulmet boshe të përsëritura të kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj BDI-së dhe përfaqësuesve të saj.
Në vend se të merret me premtimet e parealizuara të qeverisë së tij dhe me skandalet që rëndojnë mbi qeverisjen aktuale të VMRO-DPMNE-së, kryeministri zgjedh të shpërqendrojë opinionin publik me akuza boshe dhe të pabazuara.
BDI ka qenë dhe mbetet forca kryesore që ka garantuar stabilitetin politik, anëtarësimin në NATO, nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ndërtimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend që të respektojë këto arritje, Mickoski vazhdon me retorikë përçarëse dhe me tentime të vazhdueshme për të kriminalizuar shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë, duke zbatuar politika që i ngjajnë politikave të fundviteve 80’, ku sistemi i atëhershëm promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve “të ndershëm” pa legjitimitet, e në veçanti për shqiptarët.
Sa i përket akuzave për “paditë” ndaj funksionarëve të BDI-së, ne i kujtojmë kryeministrit se përgjegjësia për drejtësi nuk matet me fjalime politike, por me proces të vetingut. BDI ka qenë e para dhe e vetmja parti që ka kërkuar zyrtarisht nga prokuroria e rregullt dhe prokuroria e atëhershme speciale që të hetohet çdo funksionar i saj. BDI është e para dhe e vetmja parti që ka kërkuar veting të plotë dhe të paanshëm për gjyqtarët, prokurorët dhe për të gjithë zyrtarët publikë, përfshirë edhe politikanët. BDI vazhdon të kërkoj hetim për prejardhjen e pasurisë së politikanëve të çdo partie. BDI poashtu kërkon hetim për procesin e privatizimit në vend. Le të ketë poashtu hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja. Ky është propozimi i BDI-së, pranojeni. Vetingu është mënyra e vetme për t’i dhënë fund këtij debati dhe për të garantuar barazi para ligjit.
BDI i bën thirrje kryeministrit që të ndalojë me gjuhën e akuzave të pabazuara dhe të kthehet tek përgjegjësitë reale që i ka përpara qytetarëve: të përmirësojë gjendjen ekonomike, të luftojë korrupsionin në institucionet që ai i drejton dhe të sigurojë që ligji të vlejë njësoj për të gjithë.
Asnjë propagandë dhe asnjë akuzë boshe nuk mund të fshehë faktin se qytetarët sot jetojnë me më shumë pasiguri, më pak dinjitet dhe me më pak shpresë për të ardhmen për shkak të keqqeverisjes.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i vendosur për të luftuar diskriminimin, për të mbrojtur interesin kombëtar, për të siguruar sundim të së drejtës dhe për të avancuar drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në reagimin e BDI-së.
tag_katrorimaqedoni_2
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...