Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar për mashtrim publik lidhur me ligjin për lojërat e fatit, transmeton Flaka. Sipas BDI-së, koalicioni që më herët u prezantua si “luftëtar i bixhozit” sot është shndërruar në mbrojtës të kazinove dhe industrisë së bixhozit.
“Disa parti flasin sikur po luftojnë bixhozin, por veprojnë sikur janë zëdhënësit e tij.” – thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, VLEN-i premtoi gjatë fushatës mbylljen totale të kazinove, por realiteti sot është krejt i kundërt:
“Falë tyre, kazinotë i kemi më afër se kurrë, midis lagjeve, pranë shkollave, përballë xhamive, kudo. Nga ‘mbyllja totale’, në praninë totale.”
BDI vlerëson se ligji i ri i propozuar nga Qeveria nuk është reformë, por “maskim i mjerueshëm që legalizon gjendjen aktuale”.
“Kur industria e lojërave të fatit protestonte përballë Kuvendit, VLEN-i nuk ishte në anën e qytetarëve – ishte në anën e kazinove.”
“Kur u propozua një ligj serioz që do t’i mbyllte dhe dislokonte bastoret, ata ishin kundër. Kur VMRO hodhi ‘ashte’ në formë postesh dhe privilegjesh, VLEN-i u përfshi i entuziazmuar.”
BDI: VLEN-i menaxhon bixhozin për interesa të veta
Në deklaratë, BDI shprehet se VLEN po lavdëron një ligj që nuk zgjidh asgjë, përkundrazi – nuk ndalon kazinotë në lagje, nuk i largon bastoret nga shkollat dhe nuk adreson shpërthimin e bixhozit online.
“Sot ata duan të lavdërohen për një ligj që është më shumë se maskim. Një ligj që s’i prek dot as kazinotë e lagjeve, as bastoret në çdo cep, as bixhozin online që u rrit më shumë se kurrë.”
“Një ligj që është shumë më i dobët se ai që vetë e rrëzuan më parë.”
BDI akuzon drejtpërdrejt se VLEN po menaxhon industrinë e bixhozit për interesa politike dhe financiare, duke braktisur qytetarët.
“VLEN-i sot përfaqëson më shumë interesat e kazinove sesa të qytetarëve.”
“Nga ‘luftëtarë të bixhozit’ u shndërruan në mbrojtës të tij.”
“Premtuan mbyllje, sollën shpërndarje. Premtuan mbyllje, përfunduan në koalicion me kazinot. Premtuan mbyllje, përfunduan në kontroll për interesa private.”
Deklarata përmbyllet me një mesazh politik të drejtpërdrejtë:
“VLEN-i, një mashtrim i radhës që po i kushton shtrenjtë qytetarëve!”
tag_katrorimaqedoni_2