Bashkimi Demokratik për Integrim reagon me shqetësim të thellë ndaj miratimit në Qeveri të Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili përbën një farsë institucionale dhe jo një instrument të vërtetë për barazi.Më skandaloze është fakti që edhe anëtari shqiptar i grupit punues, prof. dr. Mersim Maksuti, ka refuzuar publikisht këtë ligj, duke dhënë një mendim të ndarë dhe profesional, në të cilin e vlerëson këtë propozim si skandaloz, antikushtetues dhe jopraktik.Ligji nuk garanton kuota për komunitetet më pak të përfaqësuara, siç e kërkon Kushtetuta dhe Amendamenti VI, por i relativizon të drejtat kolektive me pretekste si “profesionalizëm” dhe “kompetencë”.Mekanizmi i zbatimit është i paralizuar që në start, pasi i lë të gjitha përgjegjësitë një “Trupi Koordinues” pa kompetencë mbikëqyrëse, pa drejtim politik të garantuar, dhe pa fuqi për të propozuar masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin.Ligji është bërë sipas apetiteve të Karakamishevës, e jo në përputhje me nevojat reale të qytetarëve të pambrojtur nga diskriminimi. Është miratuar vetëm për t’u dërguar në Komisionin e Venecias, dhe jo për të hyrë në Kuvend për debat demokratik.Ky propozim shmang sanksionimin ligjor të moszbatimit, duke mos parashikuar asnjë formë përgjegjësie institucionale apo juridike për shkelësit e tij. Kjo e kthen në një dokument propagandistik, pa vlerë ligjore dhe efekt praktik.Duke u fshehur pas një interpretimi të diskutueshëm të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria shmang qëllimisht afirmimin e kuotave dhe përfaqësimit të drejtë si aksion afirmativ i garantuar me Kushtetutë.BDI e konsideron këtë Propozim-ligj si ligji i Karakamishevës dhe jo si ligj i qytetarëve të RMV-së. Një ligj i tillë, në vend që të afrojë komunitetet, i largon ato edhe më shumë nga besimi në institucionet shtetërore.
Ne i qëndrojmë besnikë Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtës legjitime të çdo qytetari për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Pa këtë, nuk ka as shtet funksional, as demokraci të qëndrueshme.