BDI: Marrëveshja e Ohrit po sulmohet, barazia nuk negociohet - Gazeta Express
string(58) "bdi-marreveshja-e-ohrit-po-sulmohet-barazia-nuk-negociohet"

Maqedoni

Gazeta Express

01/09/2025 14:54

BDI: Marrëveshja e Ohrit po sulmohet, barazia nuk negociohet

Maqedoni

Gazeta Express

01/09/2025 14:54

Në një konferencë për media të mbajtur sot, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka akuzuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut se po minon themelet e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmat kushtetues që garantojnë barazinë dhe stabilitetin në vend.

Ademi tha se nga “Balancuesi” te “Badenteri”, veprimet e qeverisë përbëjnë një “atentat të përsëritur” mbi frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ai theksoi se deklaratat e përfaqësuesve qeveritarë për “rishikimin” e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik, por pjesë e një plani të qëllimshëm për të dobësuar mekanizmat mbrojtës të përfaqësimit multietnik.

Sipas tij, qeveria dhe partnerët e saj, që nga fillimi i mandatit, kanë ndjekur një agjendë të rrezikshme duke: shfuqizuar Balancuesin; mosrespektuar ligjin për gjuhët; ulur numrin e këshilltarëve në komuna; përjashtuar diasporën nga përfaqësimi politik, dhe; dorëzuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në duart e figurave me qëndrime antishqiptare.

“Fillimisht u injorua vullneti politik i shqiptarëve, më pas u ndalua flamuri kombëtar, u sulmua gjuha shqipe, u hoq Balancuesi. Tani po synohet të hiqet edhe votimi me Badenter”, deklaroi Ademi.

Ai paralajmëroi se çdo tentativë për shfuqizimin e këtij mekanizmi pas zgjedhjeve do të ishte kthim pas, drejt padrejtësive dhe përjashtimit, duke akuzuar se partia shqiptare në pushtet, VLEN, po mbron kolltukun e saj dhe jo Marrëveshjen e Ohrit.

Në mbyllje, Ademi tha se më 19 tetor, në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do të tregojnë se “barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet”.