BDI ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa i kërkojnë që të “sqarojë pse Qeveria e shkel Kushtetutën”. BDI i ka quajtur shpifje deklaratat e djeshme të kryeministrit Mickoski duke thënë se, në vend që të japë llogari për rezultatet e dobëta të qeverisë në çdo fushë, nga ekonomia e deri te izolimi ndërkombëtar, ai merret me sulme boshe ndaj BDI-së. Nga kjo parti kanë shtuar se, në vend se të shpikë armiq imagjinarë, Mickoski duhet të shpjegojë: Pse Qeveria e tij po shkel Kushtetutën dhe ligjin?
“Kjo qeveri nuk është qeveri e qytetarëve, por e botës serbe, me orientim të qartë kah boshti Beograd–Moskë. Çdo vendim i saj e rrezikon kursin euroatlantik. BDI është dhe do të mbetet garancia e stabilitetit, e përfaqësimit të dinjitetshëm dhe e së ardhmes evropiane të vendit. Mickoski le ta dijë: Shpifjet nuk mbulojnë dështimet, e as orientimin e gabuar të kësaj qeverie”, reagon BDI.
Nga VMRO – DPMNE janë përgjigjur me kundër reagim, ku kanë thënë se, BDI-ja nuk janë shqiptarët dhe se shqiptarët po turpërohen nga kjo parti. Nga VMRO-ja thonë se BDI-së tashmë është në kopshtin e plehrave të historisë.
“Shqiptarët nuk ishin dhe nuk janë BDI, as BDI nuk ka të drejtë të paraqitet si përfaqësuese e vetme e shqiptarëve. Vullneti i qytetarëve, maqedonasve, shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve – ka treguar qartë se struktura kriminale e Aliut, Artanit dhe Bujarit i takon koshit të plehrave të historisë. BDI mund të fshihet pas flamujve etnik, por nuk do t’i fshihet drejtësisë dhe vendimit të popullit.”, reagon VMRO-DPMNE.
Kujtojmë se, Mickoski gjatë fjalimit të mbajtur dje në një aktivitet partiak, hodhi poshtë të gjitha akuzat për pabarazi etnike nga ana e BDI-së dhe akuzoi këtë parti se, përfaqëson krimin, paaftësinë dhe korrupsionin, si dhe se tezat janë jokonstruktive, me çka paraqiti dëshmi për mbështetjen financiare nga Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja për komunat e drejtuara nga kryetarët e BDI-së.
tag_katrorimaqedoni_2