string(63) "bdi-avancimet-etnike-ne-dap-ndarje-e-rrezikshme-ne-institucione"

Maqedoni

Gazeta Express

21/05/2025 12:13

BDI: Avancimet etnike në DAP, ndarje e rrezikshme në institucione

Maqedoni

Gazeta Express

21/05/2025 12:13

BDI ka shprehur shqetësim të thellë dhe indinjatë të madhe për rezultatet e fundit të konkurseve të brendshme në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, ku është evidentuar diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve. Partia thekson se këto konkurse janë një shembull i qartë i përjashtimit të qëllimshëm të shqiptarëve nga administratën publike, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e drejtë.

Në konkursin e brendshëm të datës 26 shkurt 2025, janë avancuar 26 maqedonas dhe asnjë shqiptar. Po ashtu, në konkursin tjetër të datës 16 maj, nga gjithsej 41 avancime, 40 ishin për maqedonas, ndërsa vetëm një ishte për shqiptar. BDI e cilëson këtë si një fenomen të qëllimshëm, duke theksuar se këto shifra nuk janë një rastësi, por një shenjë e politikave diskriminuese që po rikthehen në administratën shtetërore.

Partia kërkon një sqarim të menjëhershëm nga Qeveria, duke theksuar se është e papranueshme që në vitin 2025, në një shtet që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të ndodhin ende këso pabarazish etnike. BDI paralajmëron se nuk do të heshtë përballë këtyre padrejtësive dhe do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore për të ndaluar këtë diskriminim të shqiptarëve.

Në përfundim, BDI apelon edhe tek bashkësia ndërkombëtare për të ndjekur me vëmendje këto zhvillime, të cilat, sipas saj, mund të çojnë në prishjen e ekuilibrit ndëretnik dhe rrezikojnë stabilitetin dhe bashkëjetesën në shtet.