Një takim midis Donald Trump dhe Vladimir Putin javën e ardhshme nuk ka gjasa të ndodhë, sipas këshilltarit të Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.
“Ne kemi rënë dakord që ekipi i veçantë i negociatorëve do të vendosë kontakte në kohën e duhur”, tha ai, raporton BBC, transmeton Gazeta Express.
Ai foli në televizionin shtetëror rus edhe për atë se si shkuan bisedimet e sotme në Riad mes delegacionit amerikan dhe atij rus kryesisht për luftën në Ukrainë.
“Jo keq, jo keq… është e vështirë të thuhet nëse [Rusia dhe SHBA] po afrohen më shumë, por kjo është ajo që diskutuam… ishte një diskutim shumë serioz i të gjitha çështjeve që donim të preknim… ne kemi rënë dakord të marrim parasysh interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Uashingtoni janë të interesuar për këtë”.
Për ecurinë e bisedimeve foli edhe kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, Kirill Dmitriev, i tha televizionit shtetëror rus Channel One: “Një dialog shumë pozitiv e konstruktiv ka filluar”.
“Ndryshe nga administrata e Biden, e cila kurrë nuk u përpoq të dëgjonte pozicionin e Rusisë, kjo ishte një përpjekje shumë e qartë për të filluar dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat biem dakord”.
Ai shtoi se ka shumë pika mbi të cilat bien dakord dhe tha se “ne u njohëm shumë më mirë… ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë tani”.