Bayerni shkatërron Chelsean, arrin çerekfinalen falë super Lewandowskit - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

08/08/2020 22:50

Bayerni shkatërron Chelsean, arrin çerekfinalen falë super Lewandowskit

Sport

Gazeta Express

08/08/2020 22:50

Bayern Munichu ka shkuar një hap më afër arritjes së tripletës këtë sezon, pasi e siguruan një vend në çerekfinale pas fitores 4:1 (7:1 në rezultat të përgjithshëm) kundër Chelseat në 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, falë dy golave dhe dy asistove të Robert Lewandowskit.

Pas triumfit në Bundesligë dhe Kupë të Gjermanisë, skuadra e Hansi Flick tani ka shkuar një hap më afër tripletës, pasi e ka siguruar një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, raporton Gazeta Express.

Chelsea duhet të shpresonte për një mrekulli në stadiumin Allianz Arena të shtunën, pas disfatës me rezultat 3:0 në Stamford Bridge para rreth pesë muajve në ndeshjen e parë të këtij rundi, para se të ndërpritej sezoni shkaku i koronavirusit.

E megjithatë, shpresat për skuadrën e Frank Lampard nuk zgjatën shumë, pasi që Robert Lewandowski e vazhdoi formën e tij mbresëlënëse duke shënuar qysh në minutën e dhjetë të ndeshjes, nga pika e penalltisë, të cilën e fitoi Thomas Muller.

Lewandowski, i cili pritej të ishte ndër favoritët për Topin e Artë para se të anulohej ky çmim, e dëshmoi vlerën e tij duke i asistuar edhe dy golat e tjerë të Bayernit sonte – të shënuara nga Ivan Perisic dhe Corentin Tolisso – dhe duke shënuar sërish në minutën e 84-të.

Golin e vetëm të ngushëllimit për Chelsean e shënoi Tammy Abraham në minutën e 44-të të ndeshjes, 15 minuta pasi Callum Hudson-Odoit iu anulua një gol nga VAR.

Tani Bayerni do ta presë fituesin e përballjes me Barcelonës dhe Napolit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. /Gazeta Express/