Bayern Munichu po zhvillon bisedime zyrtare me sulmuesin Harry Kane, për një të ardhme afatgjatë të tij në “Allianz Arena”.
Sipas mediave italiane, kontaktet ndërmjet palëve janë pozitive dhe karakterizohen nga një atmosferë e mirë, duke krijuar optimizëm për rinovimin e kontratës së 32-vjeçarit.
Bisedimet ndërmjet klubit dhe kapitenit të Anglisë kanë nisur sipas “Sky Sport Germany”, përcjell “Gazeta Express”, dhe edhe pse ende nuk ka një marrëveshje zyrtare të firmosur, palët janë në komunikim të vazhdueshëm dhe shprehin një qetësi të madhe për ta arritur një marrëveshje.
Ish-sulmuesi i Tottenhamit ka kontratë me Bayernin deri në fund të sezonit 2026-2027, por klubi dëshiron t’i sigurojë shërbimet e tij edhe për disa vite të tjera.
Objektivi i bavarezëve është që ta zgjasë këtë bashkëpunim, me një kontratë të re që mund ta mbajë lojtarin deri në vitet 2028 ose 2029.
Ndërsa negociatat nuk janë përmbyllur ende, bavarezët e mbajnë një qasje të qetë dhe të durueshme.
Klubi e di rëndësinë e Kanet në projektin e tyre sportiv dhe e vlerëson situatën personale të sulmuesit, i cili është i kënaqur në München, si në planin profesional ashtu edhe në jetën private me familjen e tij.
Sipas parashikimeve, vazhdimi i kontratës mund të arrijë finalizim në muajt në vijim, ndoshta pas përfundimit të sezonit, pasi palët mendojnë ta caktojnë me kujdes kohën dhe kushtet më të mira për të dyja.
Kane po e kalon një sezon të jashtëzakonshëm te Bayerni – duke gjetur rrjetën rregullisht dhe duke qenë një element kyç i sulmit të klubit.
Ai prin në listën e golashënuesve më të mirë për Këpucën e Artë evropiane, ndërsa është dominues absolut edhe në Bundesligë, sigurisht. /Gazeta Express