Drejtori i futbollit te Barcelona, Deco, ka deklaruar se klubi katalanas nuk do të shpenzojë në mënyrë të çmendur gjatë merkatos së verës, duke theksuar se prioritet mbetet ruajtja e grupit aktual të lojtarëve. Megjithatë, ai ngjalli vëmendje kur njoftoi se do të ketë disa afrime të reja, pavarësisht pasigurive për regjistrimin e tyre për shkak të kufizimeve financiare.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur dy objektivat kryesorë të klubit janë portieri Joan Garcia dhe sulmuesi i Liverpoolit, Luis Diaz – ky i fundit një investim i kushtueshëm edhe nëse “The Reds” ulin kërkesën prej 85 milionë eurosh. Për të përballuar një marrëveshje të tillë, Barcelona mund të detyrohet të realizojë shitje lojtarësh.
Megjithatë, nuk ka shumë emra që pritet të largohen, pasi shumica e skuadrës dëshiron të qëndrojë. Një nga të paktët që ka qenë në listën e largimeve në janar dhe tani sërish në verë është mbrojtësi danez Andreas Christensen. Sipas “Sempre Barca”, Bayer Leverkusen dhe trajneri i ri i tyre, Erik ten Hag, kanë shprehur interes për Christensen dhe do të përpiqen ta bindin të transferohet në Bundesligë, ku do të përforconte mbrojtjen pas largimit të Jonathan Tah.
Megjithatë, Christensen ka qenë i qartë se nuk ka asnjë qëllim të largohet nga “Camp Nou”. Një objektiv më realist për Leverkusen duket të jetë mesfushori 22-vjeçar Pablo Torre. Edhe pse edhe ai dëshiron të qëndrojë, Barcelona është e hapur për shitje ose huazim me të drejtë blerjeje. Ten Hag beson se mund të nxjerrë më shumë nga Torre, i cili ka lënë përshtypje të mira në minutat e pakta që ka luajtur këtë sezon.
Christensen ka vuajtur nga dëmtimet gjatë gjithë sezonit dhe u rikthye në fushë vetëm në maj. Ai do të ketë konkurrencë të madhe për një vend në mbrojtje nga Ronald Araujo, Pau Cubarsí, Eric Garcia dhe Inigo Martinez. Edhe për Torre situata është e vështirë, pasi në mesfushë ka përpara emra si Fermin Lopez, Gavi dhe Dani Olmo, që e kufizojnë hapësirën e tij në formacion.
aaaaa