Batatina në "Favorit": E nisëm me këmbë të mbarë, mendojmë ndeshje pas ndeshjes, flasim në muajin e pestë - Gazeta Express
string(100) "batatina-ne-favorit-e-nisem-me-kembe-te-mbare-mendojme-ndeshje-pas-ndeshjes-flasim-ne-muajin-e-peste"

Futboll

Gazeta Express

13/02/2024 9:51

Batatina në “Favorit”: E nisëm me këmbë të mbarë, mendojmë ndeshje pas ndeshjes, flasim në muajin e pestë

Futboll

Gazeta Express

13/02/2024 9:51

Tahir Batatina ka qenë pjesë e emisionit “Favorit” në T7 në formë virtuale, përmes një lidhjeje direkte.

Trajneri llapjan ka folur gjerë e gjatë, duke e përfshirë këtu eliminimin nga Kupa e Kosovës, nisjen me këmbë të mbarë të pjesës pranverore në kampionat, fitoren në derbi ndaj Dritës, garën për titull, shtatë zëvendësimet e famshme ndaj Trepçës ’89 dhe zëvendësimet e vonshme kundër Dritës, garën për titull dhe mosprezencën në studio televizive deri në fund të kampionatit, ose prezencën së bashku me trajnerët rivalë për titull të kampionit.

Gjithashtu, u shpreh i gatshëm të jetë pjesë e “Favoritit” në muajin e pestë, duke shpresuar që në atë kohë do të jetë lider i Superligës, shkruan “Gazeta Express”.

Për këtë, ai thotë se do t’ia bëjë hyzmetin në maksimum, duke u munduar të fitojë sa më shumë ndeshje dhe të jetë i suksesshëm edhe në duelet direkte me liderin, Ballkani.

“Për ne ka qenë me rëndësi ta fillojmë mbarë pjesën e dytë të sezonit dhe besoj që e arritëm objektivin që në ndeshjen e parë në një rivalitet të fortë midis dy skuadrave. Derbit mendoj se duhet të fitohen e jo të luhen. Është vetëm një ndeshje dhe do të mendojmë për ndeshjet e radhës. Nuk do të gëzohemi vetëm pse e kemi fituar një ndeshje, por do të mendojmë për ndeshjet e radhës.”

“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë për ta fituar, sidomos lojën e parë të sezonit pranveror në një ndeshje derbi ku dy skuadrat luftojnë për kreun e tabelës. Mendoj se e kemi bërë maksimumin, fokusi ynë ka qenë pikërisht në atë ndeshje pas mbarimit të stinorit vjeshtor. Kemi dashur që ndaj Dritës të bëjmë paraqitje të mirë dhe të jemi në hap dhe në garë për kreun e tabelës. Ka qenë shumë me rëndësi për ne, s’ka qenë e lehtë, por i kemi ndërmarrë të gjitha masat dhe jemi munduar ta analizojmë sa më mirë kundërshtarin dhe t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh. Ashtu edhe ndodhi dhe arritëm që në fund t’i arkëtojmë tri pikë.”

“Sigurisht, do të gabojnë edhe Ballkani, edhe Llapi, edhe Drita. Kampionati është i gjatë dhe ne na mbetet të punojmë shumë, na mbetet me shku nga ndeshja në ndeshje, ta bëjmë maksimumin që të mos gabojmë ne vetë dhe nuk do të merremi fare me kundërshtarët. Me ta do të takohemi direkt, me Ballkanin do t’i kemi dy ndeshje direkte dhe neve na intereson që të mos gabojmë vetë, e çfarë do të bëjnë skuadrat kundërshtare fare nuk do të merremi me to. Ne do të mundohemi maksimalisht, që të japim gjithçka nga vetja dhe t’i arrijë objektivet dhe synimet që i ka skuadra.”

“Në futboll nuk ka asgjë të përkryer, se kështu do të vendosi dhe se kështu do të bëhet. Edhe objektet kur i mbarojnë ndërtimtarët, nuk iu dalin si duhet. Edhe projektuesit kur ta bëjnë një projekt, nuk del ashtu si duhet. Nga teoria në praktikë, as në futboll nuk del ajo çka mendohet. Por, ne do ta bëjmë maksimumin, nuk do të themi asnjëherë se do të bëhemi kampionë. Me rëndësi është se ne jemi tri skuadra, apo katër skuadra, mos ta eliminojmë Prishtinën, që është në super-formë, pastaj edhe Malisheva. Jemi skuadra që të gjitha i kanë mundësitë e tyre dhe pozitat ideale të cilat ua mundësojnë të luftojnë për kreun e tabelës. Edhe ne do ta bëjmë maksimumin, do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje, do të japim gjithçka nga vetja, e çka do të sjellë në fund, për këtë pjesë në muajin e pestë do të më thirrni, ndoshta do të jem në emisionin e juaj atëherë dhe do të diskutojmë për këtë pjesë se a do të jemi në pozitën e parë apo nuk do të jemi.”

“Krejt gabojnë, kur të ndalen gabimet zhduket njerëzimi, nuk ka më njerëzim. Kështu që gabimet janë të mundshme. Ne e humbëm ndeshjen për Kupë, ku Llapi nuk ka qenë fare i interesuar për Kupë. Jo pse s’kemi qenë të interesuar për ndeshjen, por Llapi i ka dy Kupa në ‘Zahir Pajaziti’, e ka edhe Superkupën dhe tash mendon diçka tjetër. Mendoj se ka qenë aksidentalisht. Ndoshta ti ke patent shofer, por del në rrugë dhe aksidentalisht të godet dikush. Ka ndodhur një aksident të Llapi. Sidoqoftë, për ne ka qenë me rëndësi ta fillojmë mbarë kampionatin dhe jo të merremi me atë pjesë. Gabimet mund të ndodhin.”

“Do të vi në studio vetëm kur të vijnë Ilir Daja e Zekirija Ramadani, përndryshe kam vendosur të mos shkoj në asnjë studio të emisioneve sportive. Është hera e parë që fola për ju për shkak të korrektësisë së Ismetit dhe të njerëzve që i keni aty në studio dhe për televizionin tuaj. Përndryshe nuk marr pjesë në intervista për media. Mund të debatojmë bashkërisht me klubet që jemi në garë për titull, përndryshe derisa të përfundojë kampionati mund të jap vetëm deklarata pas ndeshjes.” /Gazeta Express/