Për Tahir Batatinën, fitorja ndaj Gjilanit ishte sa e ëmbël, po aq edhe e veçantë.
Trajneri llapjan në fakt e regjistroi një fitore të artë me Llapin e tij në xhiron e 28-të të Superligës për t’iu shmangur kështu pozitës së parafundit në tabelë, e cila çon në një rang më të ulët garash.
E djelmoshat e tij ia dhuruan një emocion special në Gjilan në fitoren dramatike me rezultat 3:2, shkruan “Gazeta Express”.
Njëherësh, kjo ishte një fitore jubilare për trajnerin me licencën Profi të UEFA-s.
Batatina në fakt e regjistroi fitoren e 200-të me ekipin e Llapit, me të cilin ka pasur suksese të jashtëzakonshme.
Nën drejtimin e tij, llapjanët e kanë fituar dy herë Kupën e Kosovës dhe një herë Superkupën, ndërsa ishin disa herë kandidatë edhe për titull të kampionit të Kosovës.
Llapjanët e kanë nderuar Batatinën duke e festuar bashkërisht këtë arritje të tij.
Batatina është trajner i Llapit qe më shumë se një dekadë, ndërsa synon që në një të ardhme të afërt ta fitojë edhe titullin e parë dhe historik të kampionit.
Ai në këtë edicion synon ta dërgojë Llapin përsëri në Evropë përmes Kupës së Kosovës. /Gazeta Express
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...