Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë sot një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në Prizren dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor i cili është zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e IPK-së në Facebook.
“Në mesin e personave të arrestuar është edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore në terren, në funksion të zbardhjes së plotë të çështjes dhe grumbullimit të provave relevante, vijon njoftimi.
“Gjithashtu IPK, si pjesë e procedurës administrative ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor”.
“Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në bashkëpunim ndërinstitucional dhe të vendosura në luftën kundër çfarëdo forme të krimit, përfshirë edhe atë të kryer nga zyrtarë publik”, përfundon njoftimi.