Mbrëmë në sallën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë u dha premiera e parë për këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës. “Rebounds. A BasketBallet” është krijim i ri i stilit bashkëkohor dhe është realizuar në bashkëpunim me dy koreografët gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, ndërsa kompozitor i muzikës është Ohad Talmor.
Nga Donjeta Abazi
Baleti Kombëtar i Kosovës me ekipin e vet realizoi mbrëmë në Salla Atelie të Pallatit të Rinisë një shfaqje bashkëkohore nën tingujt e Ohad Talmor dhe nën koreografinë e Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Krijimi një orësh bëri bashkë baletin klasik me lojën e basketbollit, një eksperimentim i veçantë i llojit të vet, i cili nuk mund të shihet shpesh nëpër shfaqje.
Balerinët tanë pranuan me lehtësi koreografinë, e cila u vërejt mbrëmë gjatë premierës, bashkë me harmoninë e ekipit, lëvizjeve dhe gjallërisë nga fillimi deri në mbyllje. Balerinët folën me gjuhen e unifikimit në grup përmes baletit dhe momenteve interesante të lojës së basketbollit. Stili i koreografisë madje edhe kostumet e rregulluara anonin kah street dance ose street basket, por që mbahet fort nga lëvizjet në çift ose në grup të lëvizjeve klasike të cilat arti i baletit i ka të pandashme.
Lëvizjet e shpeshta të balerinëve, ndarja në grupe harmonia e ribashkimit dhe momentet kur përmes gjestikulacioneve tregohen rivalitete në fushën e basketbollit nuk i lë vend monotonisë dhe shfaqja nuk rrezikohet nga publiku i cili nuk ka vend për t’u bezdisur. Për vetë faktin që shfaqja është intensive, balerinët janë shumë afër me publikun, në fakt ulen afër tyre e dalin nga publiku dhe shfaqja kur bie në ritme e bën duke mos hequr dorë nga klasikja e baletit, krijon një zigzag optik prej të cilit publiku përton të dalë.
Ritmikja që shkon e shtohet mbërthen vëmendjen e publikut, balerinët punojnë në grup qoftë edhe kur kundërshtojnë njëri-tjetrin ose kur ndonjërën nga vajzat e ngrejnë lart në shenjë triumfi prandaj nuk ka një çift në rolin kryesor ose një individ që mban më shumë përgjegjësi në shfaqje.
Përplasja e vazhdueshme e topit të basketbollit, që vjen në harmoni me tingujt e Ohad Talmor, relakson shfaqjen, duke vendosur theks tek arti pa korniza, pa rregulla të caktuara të cilat zakonisht shihen në sallat ku luhet lloji i tillë i performancave dhe krijohet një harmoni e çrregullt e një lojë brenda lojës.
Në anën tjetër pavarësisht gjendjes së sallës ku u luajt shfaqja, terreni më i lirshëm dhe kreativ në formën e vet i japin shfaqjes një shtyse të rëndësishme drejt objektivit të koreografëve.
Fundi është relaksues, njëjtë siç janë shumë momente të tjera gjatë lojës. Për vetë faktin që balerinët komunikojnë në një formë a tjetër me publikun gjatë gjithë kohës, fundi është i ngrohtë dhe mirëpritet miqësisht, duke respektuar lëvizjet intensive për një orë të balerinëve dhe djerset e tyre.
Eskperimentimi i dy koreografëve gjermanë në ‘Salla Atelie e Pallatit të Rinisë’ bashkë me punën e Balerinëve tanë ishin domosdoshmëri në fushën e Baletit, por edhe fushës së kulturës në përgjithësi. Bashkëpunimi kulturor, ndarja e ideve, krijimi i urave në fushën e artit me vendet e tjera i krijon publikut tonë një pasqyrë të rëndësishme në rrafshinë kulturor.
Rebounds. A Basketballet’ pati premierën me 15 shkurt dhe përveç në Prishtinë, kjo shfaqje planifikohet të shfaqet edhe jashtë vendit tonë.
Friederike Lampert dhe Jochen Roller janë dy koreografët gjermanë me të cilët BKK-ja ka bashkëpunuar edhe para 7 vitesh për shfaqjen ‘New Born’. ‘New Born’ është shfaqur në kryeqytetin tonë, në kryeqytetin e Gjermanisë dhe në Hamburg.
Friederike Lampert (Prof. Dr. phil.), lindur më 1968, është profesoreshë për koreografi në Züricher Hochschule der Künste. Fokusi i saj në mësimdhënie dhe kërkime qëndron në historinë e aplikuar të vallëzimit përmes rishfaqjeve bashkëkohore.
Jochen Roller i lindur në Berlinin Perëndimor në 1971, u trajnua në baletin klasik përpara se të studionte Studime teatrale të Aplikuara në Giessen dhe koreografi në Qendrën Laban në Londër. Ai ka punuar si koreograf i pavarur që nga viti 1997 dhe ka prodhuar më shumë se 40 vepra për skenë, galeri, modë dhe film. Prodhimet e tij skenike bëjnë turne në Evropë, Lindjen e Mesme, Azi dhe rajonin e Paqësorit. Trilogjia tre-orëshe e performancës solo (2002-2004) u interpretua 147 herë, u vizitua në më shumë se 12 vende dhe u hodh në ankand nga shtëpia e ankandeve Christie në Hamburg në vitin 2009. Ai ka qenë në listën e Goethe-Institut të koreografëve më të rëndësishëm që nga ajo kohë. 2004.
Koncepti / Koreografia/ Kostumet: Friederike Lampert dhe Jochen Roller
Muzika: Ohad Talmor
Balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Shaljani, Blera Fanaj, Drilon Podrimçaku, Donmir Bilalli, Elmedina Berisha, Erza Limani, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Vlora Prizreni.
/Gazeta Express