Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiq, ka folur për deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për një bashkëpunim të mundshëm trepalësh në fushën e blerjes së armatimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, Anushiq e bëri të qartë se një marrëveshje e tillë mund të ndodhë vetëm mes Kroacisë dhe Shqipërisë, pasi të dyja janë anëtare të NATO-s.
“Kosova ka kushte të tjera për blerjen e armëve dhe është vështirë të formohet një koalicion i përbashkët për blerje me të tria shtetet,” theksoi ai, raporton Vijesti.
Muajin e kaluar u raportua se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18.03.2025 në Tiranë.
Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria kishin konfirmuar se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës. Në Tiranë ishte mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte mikpritëse e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, thanë se në shtator të këtij viti do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kishte thënë se synohet që të bëhet një porosi për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.
“Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, kishte thënë Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.
Këto blerje parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.