Milosh Andjic, një figurë me lidhje të forta me strukturat ruse, është emëruar shef kabineti i kryeministrit të ri të Serbisë. Emërimi i tij shihet si simbolikë e thellimit të ndikimit rus në institucionet serbe dhe si pjesë e një loje më të gjerë politike brenda pushtetit aktual serb.
Në mënyrë pothuajse të padukshme për publikun, është emëruar MiloshAndjic si shef i kabinetit të kryeministrit të ri të Serbisë, Djura Macut. Vendimi për emërimin e tij është marrë më 24 prill, por pak u vu re në opinion. Megjithatë, analiza e mëtejshme e figurës së Andjic hedh dritë mbi një profil të veçantë politik e sigurie, sidomos për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me institucionet ruse të sigurisë dhe me figurën e Aleksandar Vulin-it, raporton Nova.
Andjic është shpesh parë në publik në shoqërinë e Aleksandar Vulin-it, një funksionar i njohur pro-rus, aktualisht kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të “Srbijagas”, senator në Republikën Serbe dhe anëtar i Shoqatës Historike Ruse. Andjic, si koordinator në Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, është dekoruar në Moskë në vitin 2022 nga drejtori i Shërbimit Federal për Bashkëpunim Ushtarako-Teknik të Rusisë, Dmitry Shugaev, për kontributin në këtë fushë. Një vit më parë, ai kishte marrë medalje nga konglomerati shtetëror rus “Rosteh”, i cili drejtohet nga gjeneral-koloneli Sergej Çemezov, bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus Vladimir Putin.
Andjic ka qenë aktiv edhe në politikën e brendshme serbe. Në vitin 2011 ishte pjesë e kryesisë së Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO), por u shkarkua nga dega e Beogradit pas përplasjeve të brendshme partiake. Në të njëjtën çështje përmendet edhe emri i Nemanja Starovic, aktualisht ministër i Integrimeve Evropiane.