Basha pret në takim me ambasadorin turk, pranon letër urimi nga kryetari i parlamentit të Turqisë - Gazeta Express
string(96) "basha-pret-ne-takim-me-ambasadorin-turk-pranon-leter-urimi-nga-kryetari-i-parlamentit-te-turqise"

Lajme

Gazeta Express

09/09/2025 16:49

Basha pret në takim me ambasadorin turk, pranon letër urimi nga kryetari i parlamentit të Turqisë

Lajme

Gazeta Express

09/09/2025 16:49

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe zëvendësambasadoren Şeyda Çimeli Aydın.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Basha ka theksuar angazhimin e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Gjatë zhvillimit të takimit, Kryetari Basha e njoftoi Ambasadorin Angılı për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, konkretisht për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryetari Basha e theksoi angazhimin e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke siguruar që të drejtat e tyre të respektohen dhe të mbrohen në përputhje me standardet më të larta që ofron legjislacioni ynë. Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës do të punojë për të adresuar të gjitha nevojat e komuniteteve përmes agjendës legjislative të këtij mandati.”

Ata kanë diskutuar edhe për mërgatën në Turqi.

“Një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe pozita e mërgatës shqiptare në Turqi, e cila është vlerë e shtuar dhe faktor i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve. Mërgata shqiptare ka kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe ekonomike, duke krijuar urë të fuqishme mes popujve tanë.”

Basha e ka falënderuar ambasadorin Angili për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë.

“Kryetari Basha e falënderoi Ambasadorin Angılı për mbështetjen e vazhdueshme dhe për bashkëpunimin e ngushtë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, duke e konsideruar këtë si hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.”

Angili i ka dërguar Bashës letrën e urimit nga kryetari i parlamentit të Turqisë.

“Në kuadër të këtij takimi, Ambasadori turk, z. Sabri Tunç Angılı, i dorëzoi Kryetarit Basha letrën e urimit nga Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Prof. Dr. Numan Kurtulmuş. Në mesazhin e tij, Kryetari Kurtulmuş shprehu “urimet për popullin vëllazëror të Kosovës për paqe dhe mirëqenie, duke i përcjellë gjithashtu urimet për sukses dhe shëndet për anëtarët e nderuar të Kuvendit të Kosovës”. Në përfundim të takimit, Kryetari Basha e falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Turqisë për urimin, si dhe u pajtuan me Ambasadori Angılı për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në nivel edhe më të lartë, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve, përmes krijimit të grupeve të miqësisë sa më shpejt.”

Komisionet, grupet parlamentare dhe grupet e miqësisë do të luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke mundësuar një komunikim dhe bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve.