Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh sot se opozita po kalon një moment të vështirë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga Sali Berisha dhe ndikimeve ndërkombëtare.
Në një intervistë televizive, Basha u shpreh se “kjo vjen për shkak të interesave dhe problemeve që Berisha ka me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me drejtësinë shqiptare”.
Basha theksoi se, pavarësisht situatës aktuale, ai është i angazhuar për të ofruar një alternativë politike të re për shqiptarët.
“Që kur ka ndodhur gjyqi i 11 qershorit, PD zyrtare e deri atij momenti është riformatuar në atë që e quajnë edhe mediat Demokratët Euroatlantikë, që është një strukturë me njerëz nga jugu në veri, në çdo qendër votimi dhe që aktualisht pasi ka shpallur programin në Konventën e 1 qershorit, aktualisht është në proces të finalizimit të kandidaturave për deputetë”, tha Basha.
Sipas tij, “aktorët e vjetër të politikës duan që Shqipëria të mos ndryshojë”.
“Këtë e bëjnë në një pakt të ndërsjellë me njëri-tjetrin. Berisha është pajtuar thuajse edhe publikisht me faktin që në rrethanën ku ndodhet opozita për fajin e tij, nuk ka ai vetë asnjë mundësi të largojë Ramën, ndonëse për tre vite i gënjeu demokratët se ai ishte zgjidhje për të larguar Edi Ramën”, tha Basha.
Sipas Bashës “është goditur rëndë shpresa e demokratëve dhe shqiptarëve, ndaj nuk është e lehtë të ndërtosh një program dhe ekip për të dalë para shqiptarëve”.