Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë mbledhjes për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit për kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish, u shpreh se ky proces ndikon për gjithëpërfshirjen dhe demokratizimin e mëtejshëm të funksionimit të PD.
“Përmes këtij procesi, ne kemi të identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen për kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore. Më të mirët e më të mirëve për të sjellë ndryshimin që presin shqiptarët, zhvillim dhe punësim”, u shpreh Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Anëtarësia do ta thotë fjalën e saj përsëri në shtator, kohë kjo, kur, siç u shpreh Lulzim Basha, opozita nis, de facto, fushatën elektorale.
“Muaji gusht do të jetë muaj pune intensive. Krahas përzgjedhjes së kandidatëve ne do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do të ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri tek selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitoren e zgjedhjeve dhe hapjen e një kapitulli të qeverisjes për qytetarët dhe me qytetarët”, u shpreh Basha.
Sipas vendimit të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar, Komisioni përbëhet nga:
Bujar Nishani, Kryetar i Këshillit Kombëtar, ish President i Republikës, ish ministër
Besnik Mustafaj, ish Ministër i Jashtëm, themelues i PD
Genc Ruli, ish ministër, themelues i PD
Enriketa Papa, pedagoge dhe historiane, studiuese e krimeve të komunizmit
Mark Marku, pedagog, ish deputet
Komisioni i Vlerësimit, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë nga anëtarësia e PD.