Bartomeu dhe tre zyrtarët e Barcelonës dalin sot para gjykatës - Gazeta Express

Futboll

Gazeta Express

02/03/2021 9:14

Bartomeu dhe tre zyrtarët e Barcelonës dalin sot para gjykatës

Futboll

Gazeta Express

02/03/2021 9:14

Ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, dhe tre zyrtarë të tjerë të lartë të klubit, do të dalin sot para gjykatës, një ditë pasi u arrestuan në lidhje me skandalin “Barcagate”.

Ish-presidenti u arrestua të hënën bashkë me shefin ekzekutiv të klubit, Oscar Grau, drejtorin për çështje ligjore Roman Gomez Ponti dhe Jaume Masferrer, për të cilin thuhet se ishte krahu i djathtë i Bartomeut, transmeton Gazeta Express.

Të gjithë prej tyre refuzuan të jepnin deklaratë në polici të hënën, prandaj do ta bëjnë një gjë të tillë para gjykatësit sot gjatë ditës.

Ata e kaluan natën në paraburgim.

Policia e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, i bastisi zyrat e klubit të Barcelonës të hënën në mëngjes në lidhje me këtë skandal.

Çfarë është skandal “Barcagate”?

Vitin e kaluar, u raportua se klubi i kishte paguar disa kompani private për t’i kritikuar dhe njollosur në rrjetet sociale kundërshtarët e Bartomeut, përfshirë lojtarë dhe trajnerë nga e kaluara dhe e tashmja.

Lionel Messi, Pep Guardiola, Xavi dhe Gerard Pique ishin në mesin e atyre që ishin cak i njollosjes dhe kritikave nga kompania I3 Ventures në një fushatë njolloseshe trivjeçare.

Presidenti i atëhershëm i Barcelonës Bartomeu i pati hedhur poshtë akuzat në shkurt të vitit të kaluar.

Synimi i saj ishte ta mbronte Bartomeun dhe reputacionin e tij duke i kritikuar kundërshtarët e tij.

I3 Ventures kishte llogari në Twitter dhe Facebook të cilat postonin në lidhje me lojtarët e Barçës.

Ajo i kishte bërë disa sulme ndaj Messit për ngurrimin e tij për ta nënshkruar kontratën e re me Barçën, derisa Pique u kritikua për projektin e tij për ta riorganizuar turneun e tenisit për shtete, Davis Cup.

Tetë anëtarë të klubit bënë ankesë zyrtare në polici, e cila e nxiti një hetim i cili ka vazhduar për disa muaj.

Pas kësaj hetimi, policia katalonase i bastisi zyrat e Barcelonës të hënën.

Në një kontroll të kryer në korrik, policia kishte marrë dokumente në lidhje me këtë skandal.

Bartomeu e kishte pranuar në fillim të vitit të kaluar se e kishte kontraktuar kompaninë I3 Ventures për rrejte sociale por këmbënguli se nuk kishte marrëveshje me të për ta kritikuar Messin me bashkëlojtarë./Gazeta Express/