Barcelona po shpreson për lajme të mira këtë javë, pas dy humbjeve të rënda para pushimit ndërkombëtar. Blaugranat nuk arritën të përballonin ritmin e Paris Saint-Germain të mërkurën e kaluar, dhe më pas u shkatërruan nga Sevilla në “Ramon Sanchez Pizjuan”.
Një nga arsyet kryesore që janë përmendur për vështirësitë e tyre kohët e fundit janë dëmtimet. Alejandro Balde sapo është rikthyer në skuadër, ndërsa Raphinha, Lamine Yamal, Gavi, Fermin Lopez, Joan Garcia dhe Marc-André ter Stegen kanë munguar në ndeshjet e fundit.
Gjigantët katalanas do të rikthehen në fushë pas dy javësh kundër Gironës në një derbi rajonal, përpara se të presin Olympiakosin dhe më pas të udhëtojnë drejt “Santiago Bernabeu” për superpërballjen me Real Madridin. Sipas Sport, Barcelona është optimiste se disa përforcime po afrohen.
Edhe pse ende nuk ka siguri të plotë, në klub janë shpresëplotë për rikthimin e Lamine Yamal, Raphinha dhe Fermin Lopez kundër Gironës. Më i afërt për t’u rikthyer duket Lopez, ndërsa projekti i rikuperimit të Raphinhas prej tre javësh përkon pikërisht me ditën para ndeshjes me Gironën.
Më e paqartë është gjendja e Lamine Yamal, pasi dëmtimi i tij në ije nuk është një lëndim muskulor tipik. Nuk dihet saktësisht si do të reagojë trupi i tij ndaj rikuperimit, por mund të rikthehet pas rreth dy javë e gjysmë. Objektivi i klubit është ta ketë plotësisht gati për “El Clásico”-n në Bernabeu.
Ndërkohë, edhe pse skuadra e Hansi Flick dukej më e thellë se sezonin e kaluar — me rikthimin e Marc Bernal dhe Andreas Christensen, si dhe afrimet e Marcus Rashford dhe Joan Garcia në merkato — dëmtimet kanë fshirë çdo ndjesi përmirësimi. Përveç lojtarëve të përmendur, Garcia pritet të jetë i radhës që do të rikthehet në nëntor, ndërsa Ter Stegen nuk do të jetë gati para janarit, dhe Gavi pritet të mungojë deri në shkurt./GazetaExpress/