Barcelona pritet të rikuperojë një pjesë të humbjeve nga të ardhurat e ditëve të ndeshjeve duke zhvilluar miqësore jashtë vendit. Klubi u rikthye në “Camp Nou” të premten, duke organizuar një seancë stërvitore të hapur, dhe planifikon të luajë sërish në shtëpi para fundit të muajit. Megjithatë, buxhetet e klubit janë ndërtuar mbi bazën e një sezoni të plotë në “Camp Nou”.
Blaugranat aktualisht i luajnë ndeshjet e tyre si vendas në “Montjuic”, i cili ka një kapacitet prej 55,000 vendesh — një ndryshim i vogël krahasuar me “Camp Nou”-n e rinovuar, që tani mban rreth 45,000 spektatorë. Por dy ndeshjet e zhvilluara në “Estadi Johan Cruyff”, me vetëm 6,000 vende, kanë krijuar një boshllëk prej disa milionë eurosh në llogaritë e klubit.
Presidenti Joan Laporta kishte planifikuar ta kompensonte një pjesë të këtij mungese financiare duke çuar Barcelonën të luante kundër Villarrealit në Miami, në ndeshjen e fundit të vitit në La Liga. Megjithatë, vendimi i organizatorit “Relevent” për të tërhequr ngjarjen e ka lënë Laportën dhe bordin e tij në një pozitë të vështirë. Vlen të kujtohet se, duke qenë viti i fundit i mandatit të tij, Laporta dhe bordi janë personalisht përgjegjës për çdo humbje financiare gjatë periudhës pesëvjeçare të drejtimit.
Zgjidhja mund të vijë përmes ndeshjeve miqësore fitimprurëse. Sipas Sport, Barcelona tashmë ka arritur një marrëveshje për të zhvilluar një miqësore kundër kombëtares së Perusë në Lima, me vlerë 7-8 milionë euro. Marrëveshja është firmosur dhe klubi ka marrë paraprakisht një pjesë të shumës, ndërsa ndeshja do të duhet të zhvillohet gjatë vitit 2026.
E njëjta burim thotë se miqësorja mund të zhvillohet në shkurt ose në fund të sezonit, megjithatë klubi po kërkon një datë në muajin e dytë të vitit. Nëse Barcelona kualifikohet në mesin e tetë ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, ajo do të jetë e kualifikuar automatikisht në fazën e 1/16-ve, duke liruar kështu dy javë të mesme për zhvillimin e ndeshjeve shtesë.
Sigurisht, një udhëtim i gjatë në mesin e një sezoni të ngjeshur — dhe për një skuadër me shumë mungesa — nuk do ta kënaqë trajnerin Hansi Flick. Po ashtu, po zhvillohen bisedime për një tjetër miqësore në Casablanca, Marok, në dhjetor, pas ndeshjes kundër Villarrealit./GazetaExpress/