E ardhmja e Marc Casado rikthehet në qendër të merkatos, ndërsa interesimi nga Arabia Saudite po merr formë konkrete. Mesfushori i Barcelona ishte pranë largimit edhe verën e kaluar, kur klubi katalanas thuhet se do ta lejonte të largohej për rreth 30 milionë euro, me West Ham United dhe Wolverhampton Wanderers mes klubeve të interesuara.
Megjithatë, lojtari vendosi të qëndrojë dhe të vazhdojë nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick. Situata ka ndryshuar muajt e fundit, pasi raportimet sugjerojnë se Casado është i hapur për një aventurë në Arabinë Saudite gjatë kësaj vere.
Sipas mediave spanjolle, fondi publik i investimeve i Arabisë Saudite është gati të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e lojtarit për të testuar gatishmërinë e tij për transferim. Nëse mesfushori jep dritën jeshile, mund të miratohet një ofertë që kalon shifrën e 40 milionë eurove.
Casado ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2028, ndërsa klubi katalanas po shqyrton dy opsione: ta shesë për të gjeneruar të ardhura në një moment kur vazhdon të përballet me kufizime financiare, ose t’i ofrojë një kontratë të re për ta blinduar. Interesimi nga Lindja e Mesme pritet të ndikojë ndjeshëm në vendimin final të palëve. /GazetaExpress