Barcelona mposht Napolin dhe siguron çerekfinalen kundër Bayernit - Gazeta Express
string(65) "barcelona-mposht-napolin-dhe-siguron-cerekfinalen-kunder-bayernit"

Barcelona mposht Napolin dhe siguron çerekfinalen kundër Bayernit

Gazeta Express

08/08/2020 23:00

Barcelona do ta vazhdojë edhe më tutje me shpresën të mos e mbyllë sezonin 2019/20 pa asnjë trofe, pasi e ka arritur çerekfinalen e Ligës së Kampionëve falë fitores të së shtunës me rezultat 3:1 kundër Napolit.

Ky sezon rrezikon të bëhet i pari në 12 vjet për Barcelonën pa asnjë trofe, pasi klubi katalonas u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit dhe e humbi garën për titull të La Ligës kundër Real Madridit, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Megjithatë, Barcelona e shmangi një tjetër goditje të rëndë këtë sezon sonte, duke arritur të sigurojë fitore me rezultat 3:1 dhe me rezultat të përgjithshëm 4:2 kundër Napolit, falë edhe paraqitjes mbresëlënëse të Lionel Messit.

Barcelona kaloi në epërsi qysh në minutën e dhjetë të ndeshjes, kur Clement Lenglet e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes me një goditje të mirë pas harkimit në zonë nga Ivan Rakitic.

Djemtë e Quique Setien, i cili rrezikonte ta humbte postin e trajnerit me eliminim nga Liga e Kampionëve, e vazhduan presionin mbi Napolit dhe 13 minuta më vonë epërsia e tyre u dyfishua falë Lionel Messit, i cili e shënoi një gol të bukur individual.

Në minutën e 33-të, Messit iu anulua një gol për prekje me dorë, ndërsa në minutën e 44-të, Barcelona fitoi penallti pasi Messit ia goditën këmbën në vend të topit brenda zonës së portierit. Penalltinë e shënoi Luis Suarez.

Para se të përfundonte pjesa e parë, Lorenzo Insigne tentoi ta kthejë në lojë Napolin, edhe ai duke shënuar nga pika e penalltisë.

Napoli e dominoi ndeshjen gjatë pjesës së dytë, duke regjistruar plot tetë goditje drejt portës më shumë sesa katalonasit, mirëpo asnjëra prej tyre s’ishte e saktë dhe tani do të jetë Barcelona ajo që kalon në çerekfinale kundër Bayernit. /Gazeta Express/