Barcelona thuhet se tashmë ka marrë një vendim lidhur me të ardhmen e Marcus Rashford, i cili aktualisht luan në “Camp Nou” në formë huazimi nga Manchester United.
Sulmuesi 27-vjeçar iu bashkua Barcelonës gjatë merkatos së verës me huazim njëvjeçar, dhe që nga atëherë ka gjetur formën e tij më të mirë nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick — me 3 gola dhe 5 asistime në 10 ndeshje, përfshirë golin e tij të parë në La Liga në humbjen 4-1 ndaj Sevillas.
Megjithëse pati një incident kur u vonua në stërvitje dhe u la në stol kundër Getafes si ndëshkim, performancat e tij kanë bindur drejtuesit e klubit dhe i kanë sjellë edhe një ftesë të re nga Anglia e Thomas Tuchel.
Sipas raportimeve nga SPORT, të përcjella nga Tribal Football, Barcelona është e gatshme të aktivizojë opsionin për ta blerë Rashfordin përfundimisht në fund të sezonit. Megjithatë, ekziston ende debat për çmimin e transferimit për shkak të situatës financiare të klubit.
Opsioni i blerjes fiksohet në 26.2 milionë paund, por për ta bërë marrëveshjen të realizueshme, Rashford do të duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës, pasi aktualisht fiton rreth 315,000 paund në javë nga kontrata e tij me United, e cila zgjat deri në qershor 2028.
Barcelona, sipas raportimeve, do të përpiqet të negociojë një ulje të çmimit përfundimtar, ndërsa duhet gjithashtu të respektojë rregullat e Fair Play Financiar të La Ligas, që kufizojnë shpenzimet për paga në përpjesëtim me të ardhurat.
Një raport tjetër nga The Mirror shkon edhe më tej, duke pretenduar se Manchester United tashmë ka rënë dakord që Barcelona ta blejë Rashfordin për 26 milionë paund në verën e ardhshme, me klubin katalanas që do të mbulojë të gjitha pagat e lojtarit gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar ende nga asnjëra palë.
Vetë Rashford ka dhënë sinjale të qarta për dëshirën e tij për të qëndruar në Barcelonë, duke deklaruar në shtator se dëshiron të “luajë për sa më shumë sezone të jetë e mundur” me fanellën “blaugrana”.
Gazetari Fabrizio Romano gjithashtu ka raportuar se drejtuesit e Barcelonës janë “shumë të kënaqur” me kontributin e Rashfordit dhe se lojtari “as nuk po mendon për një rikthim te Manchester United”.
Pas pushimit ndërkombëtar, Rashford do të rikthehet në Barcelonë për të vazhduar sezonin, ndërsa me Anglinë do të përballet me Uellsin (miqësore) dhe Letoninë (kualifikuese për Botërorin) gjatë kësaj jave./GazetaExpress/