Barcelona lavdëron Modricin: Një fisnik i vërtetë


Gazeta Express
3 Dhjetor 2019 12:26

Luka Modrici ia dorëzoi Lionel Messit Topin e Artë të hënën në mbrëmje, gjatë ceremonisë të mbajtur në Paris, dhe ky veprim i tij ka bërë që kroati të marrë lëvdata edhe nga rivalja e madhe e Real Madridit, Barcelona.

Luka Modrici e pati sërish mbrëmë në duar çmimin, të cilin e kishte fituar vitin e kaluar falë triumfit në Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe arritjen deri në finale të Kupës së Botës me Kroacinë, mirëpo këtë herë vetëm për disa momente, transmeton Gazeta Express.

Kroati ia dorëzoi menjëherë Messit Topin e Artë këtë vit, pasi ylli i Argjentinës dhe Barcelonës e shijoi një vit mbresëlënës dhe theu rekord duke e fituar këtë çmim për herë të gashtë në karrierë.

“Sportet dhe futbolli s’kanë të bëjnë vetëm me fitoret, kanë të bëjnë edhe me respektin që e ke për bashkëlojtarët dhe rivalët”, shkroi Modrici në Twitter, pas ceremonisë.

Klubi katalonas iu përgjigj shpejt mesfushorit kroat të Real Madridit, duke e cilësuar atë si “fisnik të vërtetë”.

Në tapetin e kuq, Modrici vazhdoi sërish duke e lavdëruar argjentinasin, të cilit ia kishte uruar trofeun dhe i kishte thënë se e meritonte atë gjatë kohës sa po ia dorëzonte atë.

“Messi është mbresëlënës, njëri ndër më të mirët e të gjithë kohëve dhe unë e përgëzoj atë për atë që e ka bërë”, u shpreh Modrici.

“Mund të jetë traditë e mirë që fituesi në fuqi i trofeut t’ia japë trofeun fituesit të radhës”.

“Unë jam këtu sepse futbolli ka të bëjë më respektin, për këtë arsye erdha këtu ta, ta përgëzoj atë dhe t’ia japë çmimin”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart