E ardhmja e Marcus Rashford do të vendoset në javët në vijim.
Barcelona ka kohë deri më 15 qershor për ta ushtruar opsionin e blerjes të rënë dakord verën e kaluar me Manchester United, në momentin e huazimit të sulmuesit anglez në Kataluni: një shifër e përcaktuar prej 26 milionë funtesh (rreth 31 milionë euro), të cilën klubi blaugrana ende nuk ka vendosur nëse do ta paguajë.
Sipas raportimeve, “Red Devils” nuk e kanë ndërmend t’i ndryshojnë kushtet e marrëveshjes fillestare dhe e kanë refuzuar tashmë kërkesën e Barcelonës për të zgjatur edhe më tej huazimin, përcjell “Gazeta Express”.
Numrat e Rashford te Barcelona
Me 10 gola dhe 10 asistime, 28-vjeçari nga Manchesteri ka qenë një element i dobishëm në sulmin e skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick, edhe pse pa u shndërruar në protagonist absolut.
Një bilanc i respektueshëm për një lojtar që erdhi në verë në kërkim të rilindjes pas një sezoni zhgënjyes me “Djajtë e Kuq”, por që nuk duket se i ka bindur plotësisht drejtuesit e Camp Nou për të investuar në mënyrë definitive për kartonin e tij. /Gazeta Express