Barcelona është e vendosur që ta bëjë sulmuesin e Athletic Club, Nico Williams, përforcimin e dytë të afatit kalimtar veror 2025. Pas javësh spekulimesh, klubi katalanas duket se po i afrohet finalizimit të marrëveshjes për 22-vjeçarin.
Fillimisht, Luis Diaz ishte objektivi kryesor për krahun e majtë, por në javën e fundit, interesimi për Nico Williams është rikthyer fuqishëm. Edhe pse verën e kaluar ai refuzoi një transferim në “Camp Nou”, këtë herë lojtari thuhet se është i vendosur të bashkohet me kampionët e La Ligës.
Sipas ESPN, Barcelona dhe Williams tashmë kanë arritur marrëveshje për kushtet personale, ndërsa klubi katalanas është i gatshëm të paguajë klauzolën e lirimit prej 58 milionë eurosh që figuron në kontratën e tij me Athletic Bilbao.
Barcelona kishte dëshirë ta paguante shumën në këste, por Athletic Bilbao kërkon që e gjithë shuma të paguhet menjëherë gjatë këtij afati. Megjithatë, pavarësisht vështirësive të vazhdueshme financiare, Barcelona tashmë ka dëshmuar se mund të përballojë këso shpenzimesh – duke aktivizuar më herët këtë javë klauzolën prej 25 milionë eurosh për portierin Joan Garcia.
Përkundër buxhetit të disponueshëm për kartonin e Williams, aktualisht Barcelona nuk ka hapësirë të mjaftueshme në pagat për ta regjistruar atë. Prandaj, disa largime janë të pashmangshme – me emra si Marc-André ter Stegen, Andreas Christensen dhe Ansu Fati që përmenden si kandidatët kryesorë për t’u larguar.
Nëse transferimi finalizohet, Williams do të kompletonte ofensivën e ëndrrave të Barcelonës, bashkë me Lamine Yamal, Raphinha dhe Robert Lewandowskin. Te Barcelona ka besim se marrëveshja do të ndodhë, por lojtari duhet të presë edhe pak për t’i bashkuar ëndrrat me realitetin në Spotify Camp Nou.