FC Barcelona ka përfunduar bashkëpunimin me talentin gjerman Noah Darvich, i cili nuk arriti të përmbushte pritshmëritë pas dy sezonesh me fanellën blaugrana. Megjithëse ardhja e tij në vitin 2023 u shoqërua me entuziazëm të madh, klubi katalanas ka vendosur ta transferojë mesfushorin te Stuttgart, ku ai ka firmosur kontratë deri në vitin 2029. Barcelona do të përfitojë 500 mijë euro nga shitja, si dhe një përqindje nga një shitje e ardhshme dhe të drejtën e refuzimit të parë nëse lojtari del sërish në treg.
Darvich iu bashkua Barcelonës në moshën 16-vjeçare pas triumfit me Gjermaninë U-17 në Kupën e Botës, duke ardhur si një nga premtimet më të mëdha të brezit të tij. Klauzola e lirimit e vendosur fillimisht në 1 miliard euro ishte shenjë e besimit që klubi kishte në potencialin e tij. Megjithatë, sipas gazetës Sport, Darvich nuk arriti të bëjë hapin e madh që pritej. Në sezonin e parë, u aktivizua më shumë simbolikisht mes ekipeve Barça Atlètic dhe Juvenil, ndërsa sezonin e fundit – edhe pse stërvitej me ekipin e parë nën urdhrat e Hansi Flick – grumbulloi vetëm 751 minuta pa asnjë gol apo asist.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Stuttgartit, përmes drejtorit sportiv Fabian Ëohlgemuth, e kanë cilësuar këtë transferim si një përforcim me potencial të lartë. Edhe vetë lojtari është shprehur i motivuar për këtë kapitull të ri në karrierë. Edhe pse vlera e tij në treg ka rënë muajt e fundit, në Gjermani ai vazhdon të konsiderohet një lojtar me të ardhme premtuese.
Barcelona, ndërkohë, e pranon humbjen e pjesshme në këtë investim, pasi kishte paguar 2.5 milionë euro për ta blerë nga Freiburg në vitin 2023. Klubi shpreson që Darvich të rikthehet në formë dhe që në të ardhmen të përfitojë financiarisht nga një transferim i mundshëm.