Barcelona rrallëherë ka munguar në ambicie në merkato, edhe pse vitet e fundit është dashur të luftojë për t’i mbuluar ato në bilancet financiare. Megjithatë, objektivi i tyre i radhës në merkato tregon dëshirën për t’u rikthyer fuqishëm në garë për Ligën e Kampionëve.
Blaugranat raportohet se po përgatisin një lëvizje verën e ardhshme për yllin e Paris Saint-Germain, Desire Doue. Sipas Indykaila, në muajt e ardhshëm Barcelona do të nisë punën për ta vënë në shënjestër reprezentuesin francez për një transferim të madh.
Synimi i tyre është dominimi në Europë duke i vendosur në krahë të kundërt Lamine Yamal dhe Doue. Yamal do të jetë qendra e projektit që katalanasit shpresojnë të ndërtojnë në vitet e ardhshme, ndërsa Doue do të ishte një transferim “deklaratë” për t’ua kujtuar të gjithëve se Barça mbetet një destinacion për lojtarët më të mirë të botës.
Barcelona shpreson të regjistrojë fitim këtë sezon për herë të parë që prej pandemisë, pasi vitin e kaluar pati humbje prej 91 milionë eurosh. Bordi këmbëngul se pati “fitim operativ”, dhe se vetëm humbjet nga vlerësimi i Barça Vision i shtynë në të kuqe. Përveç kësaj, katalanasit do të kursehen nga paga e rëndë e Robert Lewandowskit, dhe nëse miratohet marrëveshja për qiratë e VIP-ve në vlerë 100 milionë euro, bilancet do të përmirësohen.
Sa i përket talentit dhe fuqisë mediatike, 20-vjeçari duket një zgjedhje logjike. Së fundmi, Doue deklaroi se është më i mirë se Lamine Yamal, duke treguar vetëbesim të madh. Fakti që ende nuk është titullar absolut te PSG, mund të funksionojë në favor të Barcelonës për ta bindur në një kalim.
Megjithatë, ekzistojnë pengesa serioze: marrëdhëniet mes PSG-së dhe Barcelonës kanë qenë të tensionuara prej kohësh, ndërsa kampionët e Europës nuk kanë asnjë arsye të shesin një lojtar që nuk duan ta largojnë. Për më tepër, Doue luan në një rol shumë të ngjashëm me Yamal-in, edhe pse mund të aktivizohet edhe në të majtë. Në të kaluarën, kjo ka qenë një problem për Barcelonën, siç ndodhi me Antoine Griezmann, që e pati të vështirë të përshtatej jashtë pozicionit të tij natyral.