Barça heq dorë nga Jose, i vazhdon kërkimet për zëvendësuesin e Dembeles tjetërkund - Gazeta Express
string(82) "barca-heq-dore-nga-jose-i-vazhdon-kerkimet-per-zevendesuesin-e-dembeles-tjeterkund"

Barça heq dorë nga Jose, i vazhdon kërkimet për zëvendësuesin e Dembeles tjetërkund

Gazeta Express

13/02/2020 9:25

Barcelona ka hequr dorë nga transferimi i sulmuesit Willian Jose, të cilin e kërkonte për ta zëvendësuar të lënduarin Ousmane Dembele, për shkak të kërkesave të larta të Real Sociedadit.

Bordi i Barçës e mori këtë vendim të mërkurën në mbrëmje për shkak se Sociedad nuk hiqte dorë nga çmimi shumë i lartë për shitjen e sulmuesit, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Jose ka klauzolë lirimi në vlerë 70 milionë euro dhe trajneri i Sociedad Imanol Alguacil ishte i qartë në qëndrimin e tij se ai do të largohet vetëm nëse paguhet kjo shumë.

Klubi bask është i fokusuar në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, ku të enjten e pret skuadrën e Mirandes, prandaj nuk dëshiron ta humbasë asnjë lojtar kyç në përpjekje për ta fituar këtë trofe dhe duke e ruajtur ritmin me ekipet e tjera në garë për Ligën e Kampionëve në La Liga.

“Mendoj se ai do të qëndrojë me ne, nëse ata nuk vijnë me ofertë prej 70 milionë euro”, tha Alguacil.

Si pasojë, Barcelona ka hequr dorë nga Jose dhe tani do të përqendrohet në synimet tjera për ta zëvendësuar Dembelen.

Dembele është operuar dhe do të mungojë gjashtë muaj. Kampioni spanjoll ka të drejtë ligjërisht ta transferojë një zëvendësues të francezit edhe pse jashtë afatit kalimtar. /Gazeta Express/